Komuna e Prishtinës afat deri në nëntor t`i sigurojë mjetet për organizimin e bienales së artit ‘Manifesta 2022’

Komunës së Prishtinës nuk i kanë mbetur edhe shumë kohë për të plotësuar kërkesat e vëna nga Bordi i “Manifestës” për organizimin e ‘bienales 2022’ në Prishtinë.

Komuna e Prishtinës është favorite për t’u përzgjedhur organizatore e “Manifesta 2022″, dhe tashmë komuna e ka edhe konfirmimin nga bordi i këtij institucioni në komunikim zyrtar.

Por, Bordi i “Manifestës” kërkon garanci që Prishtina si komunë mund të mbulojë shpenzimet e një organizimi të tillë, dhe kjo garanci duhet të sigurohet në fillim të muajit nëntor.

Në të kundërtën, komuna do të mund ta humbas mundësinë që të jetë organizatore e Bienales së Artit Manifesta në 2022, nëse nuk arrin të plotësojë kushtin e vënë nga Bordi i “Manifestës”.

Yll Rugova drejtori i Departamenti për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës ka thënë për Kallxo.com, se për të organizuar Manifestën duhen diçka mbi 4 milion euro investime në infrastrukturë dhe kapacitete njerëzore, prej të cilave, sipas tij, komuna i ka zotuar 728,000 për katër vitet në vijim.

Ndërkohë, shton ai, që organizatorët kanë kërkuar të garantohen edhe të paktën 50% e pjesës së mbetur.

“Ne tashmë jemi në diskutim me Ministrinë e Kulturës, dhe po shohim mundësitë të diskutojmë edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Tregtisë dhe Industrisë që të sigurojmë edhe mbështetjen e tyre.  Gjithsesi në rast se nuk e garantojmë këtë shumë deri në fillim të muajit nëntor, ne mund të humbasim organizimin e bienales për 2022”, ka thënë Rugova për Kallxo.com.

Më tej ai ka thënë se kjo bienale ndërkombëtare përveç që sjellë investime në qytet, gjithashtu i lidhë artistët e Kosovës me kolegët e tyre nga e gjithë bota. Sjellë artistë të shquar në Kosovë, dhe gjithashtu sjellë rreth 200,000 turistë nga e gjithë Evropa me potencialin e llogaritur rreth 20 milionë euro të hyra për qytetin.

Një organizim i tillë, sipas Rugovës,  do ta vendosë Prishtinën dhe Kosovën në hartat ndërkombëtare të artit dhe kulturës. Për më shumë hapë rrugë që në të ardhmen të aplikojmë edhe për të qenë Kryeqytet Evropian i Kulturës.

Bienalja ‘Manifesta’ mbahet çdo 2 vjet në një qytet tjerër, dhe zakonisht bëhet aplikimi për organizim, ngjashëm qysh aplikohet për organizim të kampionit evropian ose botëror për ndonjë garë sportive.

Bordi më pas vendosë nëse ai qytet ose shtet i plotëson kushtet infrastrukturore dhe financiare për organizim të tillë. Në vitin 2020 “Manifesta” organizohet në Marseille të Francës.