Agim Veliu - FOTO KALLXO

Komuna e Podujevës nuk mbjell asnjë fidan në 2019-n

Komuna e Podujevës në hapësira të qytetit ka mbjell 77 fidanë përgjatë vitit 2018.

Ndërkaq, në 2019-n ndonëse është muaji i pestë i vitit, ende nuk është mbjell asnjë fidan në këtë qytet.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com Rizah Muçolli, zyrtar i Mjedisit në Komunën e Podujevës.

Muçolli ka shtuar se këtë vit e kanë të planifikuar mbjelljen e 100 fidanëve.

“Deri në  fund të mandatit planifikohen të mbillen 400 copë. Drunjtë në vitin 2018 janë mbjell në qytet, përkatësisht në oborrin e QKMF-së, në rrugën ‘Ali Ajeti’  dhe në rrugën ‘19 Qershori’. Drunjtë janë mbjellë nga kompania ‘Eing Com’”, thuhet në përgjigjen e tij dhënë me datë 10 maj.

Muçolli ndër të tjerash ka thënë se kompania i mirëmban fidanët dhe përgjigjet 6 muaj pas mbjellës së tyre.

“Më pas përgjegjësinë kompania për mirëmbajtjen e hapësirave publike e angazhuar nga komuna”, është përgjigjur zyrtari komunal për KALLXO.com.

Kryetari aktual i Podujevës, Agim Veliu në #DebatPernime në Emisionin Jeta në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2017, ishte zotuar se do të punojnë shumë në ambient.

“Ne gjatë mandatit kemi planifikuar që  të punojmë shumë në ambient. Kemi mendu me mbjell drunj në disa rrugë të qytetit, në rrugën “Skënderbeu” aq sa është e nevojshme sepse ato kanë gjatësi të caktuar pastaj në sheshin e qytetit që e kemi si projektin kryesor në bulevardin e qytetit do të vendosim drunj do të vendosim edhe në rrugë të tjera në qytet në mënyrë që të zgjerojmë hapësira”, kishte thënë ai.

Veliu megjithatë nuk ishte specifikuar në numrin e drunjve që do t’i mbjelli gjatë mandatit.

“Në bazë të nevojave dhe gjatësive që i kanë rrugët dhe në bazë të kritereve që janë të përcaktuara”, ishte shprehur Veliu.

Në kontratën e siguruar nga KALLXO.com, të Komunës së Podujevës me kompaninë “Eing Com” për vitin 2018 ishte paraparë shpenzimi i 77 mijë e 996 eurove e 84 cent për rregullimin e hapësirave gjelbëruese në këtë komunë.