Komuna e Pejës Rrënon 12 Objekte, Një Jo
Së paku 12 objekte te “Qendra Zejtare” në qendër të Pejës janë rrënuar nga Drejtoria e Inspektoratit komunal.
Objektet e rrënuara nga ekskavatori i Komunës kryesisht ishin lokale dhe shtëpi banimi.
Ato gjendeshin në pronë publike dhe kanë pasur leje të përkohshme të shfrytëzimit.
Drejtori i Inspektoratit, Demë Dashi, tha për KALLXO.com se palët janë njoftuar me kohë se do të rrënoheshin dhe se 10 qershori ka qenë afati i fundit për të liruar pronën publike.
Këtij aksioni i ka shpëtuar vetëm një objekt.
“Këtu po zhvillohet rrënimi. E gjithë kjo zonë do pastrohet. Edhe kjo zona që po shihet një objekt që po shkruan avokat do rrënohet. Këtu e kemi një pengesë, pasi një gjyqtar ka marrë një masë të përkohshme për ndalimin e rrënimit”, tha Dashi.
Drejtori Dashi tha se është optimist që Komuna do të dalë fitimtare karshi objektit në fjalë.
Ndërsa pas pastrimit të kësaj hapësire që gjendet afër Hambarit të Haxhi Zekës, drejtori tha së do realizohet një projekt ku është paraparë të ketë gjelbërim, pushimore dhe parking për vetura.
“Këtu është e paraparë të bëhet kryesisht gjelbërim, është e paraparë edhe një parking i vogël dhe disa ulëse për qytetarët”, u shpreh ai.