Komuna e Mitrovicës, policët të trajnohet nga zjarrfikësit për zjarre

Zjarret e fundit në Mitrovicë ishin arsyeja që drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Nehat Bahtiri ka mbledhur sot përfaqësues të Policisë së Kosovës, dhe përfaqësues nga Njësia e zjarrfikësve.

Komuna ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar për ngritjen e kapaciteteve për rastet emergjente, ku kohëve të fundit vendet rurale të komunës së Mitrovicës po ballafaqohen me problemin e zjarrvënies së qëllimshme.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës , Nehat Bahtiri, ka thënë se stafi komunal është në kontakt me ekipet emergjente dhe janë duke e përcjell situatën në vazhdimësi, prandaj duhet të ndërmerren edhe hapa më konkret për ta evituar këtë problem.

“Në bazë të informatave dhe inspektimeve të vazhdueshme nga drejtoria jonë, situata nuk është shumë e kënaqshme, sepse numri i zjarreve është shqetësues në gjithë territorin e Kosovës e ditët e fundit edhe në Mitrovicë. Prandaj ne duhet të ndërmarrim sa më parë masa për ta ndaluar këtë dukuri”, ka thënë Bahtiri.

Që të ndihmojnë me të gjitha kapacitet e tyre janë shprehur të gatshëm edhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës.

Në fund të takimit, është vendosur që disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës të trajnohen nga përfaqësuesit e Zjarrfikësve me një trajnim dy ditor lidhur me planin e veprimit për përdorimin e mjeteve për shuarjen e zjarreve.

KALLXO.com gjatë vikendit ka raportuar për një zjarr i cili ka përfshirë malet në afërsi fshatit Koshtovë në Mitrovicë.