Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut

Komuna e Mitrovicës paditet për mos ekzekutim të vendimit

Ramadan Istrefi dhe Brahim Bala janë përfitues të mjeteve humanitare nga njerëzit e vullnetit të mirë, ku si qëllim ishte ndërtimit i shtëpive në pjesën veriore të Mitrovicës, nga fondi “Ndihmo edhe ti”.

Ata në shtator të vitit të kaluar kanë paditur komunën e Mitrovicës Jugore dhe po kërkojnë që përmes gjykatës të ekzekutohet vendimi i Komunës për shfrytëzimin e mjeteve financiare nga ky fond.

Sipas padisë së siguruar nga Kallxo.com, përmes këtij fondi ishin grumbulluar 116,284.80 euro për paditësit dhe personat tjerë, për të cilët ishte paraparë që të ndërtoheshin shtëpi për shqiptarët në lagje të ndryshme në Mitrovicën Veriore.

Komuna e Mitrovicës Jugore në tetor 2016 kishte lëshuar një vendim me të cilin kishte lejuar shfrytëzimin e mjeteve financiare nga fondi “Ndihmo edhe ti“ në shumën e lartëcekur, për paditësit dhe personat tjerë, thuhet tutje në padi.

Ky vendim kishte hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit, me çka përmes tij ishte obliguar Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrasktrukturë, si dhe Drejtoria e Financave dhe Zhvillimit Ekonomik për zbatimin e vendimit.

Ramadan Istrefi ka thënë për Kallxo.com se ai është në regjister që tetë vjet për t’ia ndërtuar shtëpinë në lagjen “Kroi i Vitakut” në Mitrovicën Veriore.

Ai për Kallxo.com ka thënë se shtëpia e tij gjendet në qendër të veriut dhe është e rrethuar nga shtëpitë e banorëve serbë të asaj lagjeje.

Paditësi Istrefi kishte kërkuar disa herë nga e paditura në këtë rast komuna e Mitrovicës Jugore përkatësisht organet kompetente zbatimin e këtij vendimi dhe dhënien e mjeteve për ndërtimin e shtëpisë në Mitrovicën Veriore, por asnjëherë komuna e Mitrovicës Jugore sipas tyre nuk ka vepruar në këtë drejtim.

Si zgjidhje të vetme Ramadan Istrefi dhe Brahim Bala e kanë gjetur Gjykatën e Mitrovicës ku edhe kanë bërë padi në nëntor të viti të kaluar.

Ata po kërkojnë përmes gjykatës që komuna e Mitrovicës Jugore ta ekzekutoj vendimin e lëshuar në tetor 2016-ës.

Gjithashtu përfaqësuesi i paditësit Ramdan Istrefi, avokati Shermet Ademi përmes gjykatës disa herë i është drejtuar komunës së Mitrovicës Jugore dhe drejtorive përkatëse me kërkesë për marrjen dhe zbatimin e vendimit të lejimit të shfrytëzimit të mjeteve financiare të fondit “Ndihmo dhe ti“, por edhe pas kësaj kërkesë e paditura nuk kishte vepruar në zbatim të vendimit.

Meqenëse kanë kaluar më shumë se dy vjet dhe nuk është zbatuar ky vendim dhe veprimet e të paditurës- Komunës së Mitrovicës Jugore kanë treguar në vazhdimësi se nuk ka vullnet të ekzekutoj vendimin, palët paditëse po kërkojnë nga gjykata që të aprovohet propozimi i tyre dhe mos të lejohet ndryshimi i vendimit “dhe shpenzimi i mjeteve në shumë 40,375.60 euro nga fondi Ndihmo edhe ti”.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje lidhur me këtë çështje nga Komuna e Mitrovicës, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli askush nga zyrtarët e Komunës nuk kanë kthyer përgjigje.