Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut

Komuna e Mitrovicës nënshkruan dy herë kontratë për Qendrën Tregtare

Gjatë javës së kaluar, Qendra Tregtare në Mitrovicë i është dhënë për shfrytëzim operatorit ekonomik Kozerciumit “URBAN”.

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se me datë 8 nëntor është nënshkruar kontrata për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës në shfrytëzim- afatshkurtër.

https://kallxo.com/komuna-e-mitrovices-jep-me-qera-per-15-vite-qendren-tregtare/

“Me anë të nënshkrimit të kësaj kontrate komuna e Mitrovicës, ka dhënë me qira objektin afarist Qendra Tregtare për periodën 15-vjeçare, e cila është e ndërtuar në kuadër të projektit të Qendrës Multifunksionale “Omni Sport”, thuhej në njoftimin e komunës.

Komuna e Mitrovicës njoftim se e njëjtë se qendër është dhënë me qira e kishte dërguar edhe me 4 maj të vitit të kaluar.

Në njoftimin e Komunës së Mitrovicës thuhej se kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Operatorit ekonomik “Emona”,  nga Vushtrria, Shaip Mikullovci, kanë nënshkruar kontratën për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim afatshkurtër, përkatësisht për dhënien me qira të Qendrës së re Tregtare afër Ibrit, Operatorit ekonomik “Emona”, sh.p.k.

Tutje, Komuna e Mitrovicës kishte njoftuar se çmimi total i qirasë  mujore do të jetë 41.100 euro, të cilat operatori ekonomik do të paguaj në konton e komunës, si dhe tatimin mbi vlerën e shtuar.

Edhe pse kjo kontratë ishte nënshkruar për periodën 15 vjeçare, e njëjta është shkëputur pas shtatë muajve.

KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje nga Komuna  Mitrovicës për shkëputje të kësaj kontrate, ku thuhet se kjo ka ndodhur për shkak të mos përmbushjes së obligimeve të kontratës.

“Operatori Ekonomik nuk ka bërë përmbushjen as edhe të një pike të vetme të kontratës dhe është treguar neglizhent dhe jo përgjegjës në përputhje me obligimet që ka marrë me rastin e nënshkrimit të kontratës”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës.

Komuna tutje ka sqaruar se përkundër vërejtjes së lëshuar nga Komuna, operatori ekonomik “Emona”  nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në lidhje me përmbushjen e obligimeve andaj Komuna e Mitrovicës është detyruar që të bëjë shkëputjen e njëanshme të kontratës, si rezultat i mos përmbushjes së obligimeve kontraktuese nga ana e Operatorit Ekonomik “Emona”.

Në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës thuhet se nënshkrimi i  kësaj kontrate është bërë me shprehjen e vullnetit të lirë të palëve dhe atë pas përfundimit të proceduarve të parapara me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.

KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje nga Operatori Ekonomik “Emona”, për arsyet e shkëputjes së kontratës, por deri në publikimin e këtij shkrimi, të njëjtit nuk kanë dhënë një përgjigje.

Qendra Tregtare në Mitrovicë ka  sipërfaqe prej  20.583 metra katrorë dhe pjesën parkingut të jashtëm në sipërfaqe prej 2.439 metra katrorë.