Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut
Komuna e Mitrovicës jep me qera për 15 vite Qendrën Tregtare
Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri dhe drejtori i operatorit ekonomik Konzerciumit ”URBAN”, Blerant Lila, sot kanë nënshkruar kontratën për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës në shfrytëzim- afatshkurtër.
Me nënshkrimin e kësaj kontrate Komuna e Mitrovicës ka dhënë me qira objektin afarist të qendrës tregtare e cila gjendet në qendër të Mitrovicës, raporton KALLXO.
Objekti afarist Qendra Tregtare e cila është e ndërtuar në kuadër të projektit të Qendrës Multifunksionale “Omni Sport“, përmes kontratës iu është dhënë me qera për periodën 15 – vjeqare operatorit ekonomik Konzerciumit “URBAN“, njofton komuna e Mitrovicës.
Bahtiri ka thënë se me këtë akt po bëhet zgjidhje më e mirë për funksionalizimin e pronës së paluajtshme të Komunës së Mitrovicës, gjegjësisht Qendrës tregtare.
“Përmes nënshkrimit të kësaj kontrate presim që këtë ndërtesë të bukur dhe shumë funksionale operatori ekonomik Konzerciumi “URBAN” ta funksionalizojë sa më parë në mënyre që kjo të bëhet një qendër moderne afariste, atraktive për të gjithë qytetarët e komunës së Mitrovicës, duke përfshirë edhe atë veriore”, tha Bahtiri.
Po ashtu Bahtiri ka theksuar se në këtë qendër priten të punësohen rreth 540 qytetarë dhe gjithë qytetarët do të kenë mundësi të shohin brendet më të mëdha evropiane.