Komuna e Mitrovicës dhe “Qatar Charity” me projekt për familjet skamnore në Mitrovicë

 

Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri dhe përfaqësuesit e organizatës joqeveritare nga Katari “Qatar Charity”, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi lidhur me një projektin madhor për ndërtimin e lagjes “Frashër” në qytetin e Mitrovicës.

Bahtiri së bashku me ambasadorin e shtetit të Katarit, Ali Bin Hamad Al Marri, kanë nënshkruar këtë marrëveshje bashkëfinancimi për zbatimin e projektit për ndërtimin e lagjes “Frashër” me sipërfaqe prej 3.27 ha (3 ha 27 ari 65 m2).

Ky projekt parashihet të ketë 40 shtëpi për përfituesit me kushte të dobëta ekonomike dhe pa vendbanim, një shkollë, një shtëpi të shëndetit, katër lokale afariste, një objekt i destinuar për shfrytëzim nga Organizata “Qatar Charity” dhe një xhami.

Ndërsa Komuna e Mitrovicës në cilësinë e bashkëfinancuesit ka dhënë në shfrytëzim pronën e paluajtshme me qëllim të ndërtimit të shtëpive për arsye humanitare si dhe do të marrë përsipër rregullimin e tërë infrastrukturës përcjellëse të kësaj lagjeje.

Agim Bahtiri ka falënderuar ambasadorin e Katarit dhe përfaqësuesit e këtij shteti për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj qytetarëve të Mitrovicës, duke thënë se është shumë i kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm të Organizatës Bamirëse “Qatar Charity”, e cila ka mbështetur Mitrovicën me projekte madhore në sektorë të ndryshme, duke kontribuar kështu në zhvillim dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Kurse ambasadori i shtetit Katar, Ali Bin Hamad Al Marri, theksoi se ndihet tejet i lumtur që ndodhet në qytetin e Mitrovicës dhe se shteti i tyre ka arritur të ndihmoj Kosovën me projekte të ndryshme e veçmas duke ndihmuar familjet në nevojë.

Gjithashtu ambasadori falënderoi edhe kryetarin Bahtiri për gatishmërinë e treguar në realizimin e këtij projekti, i cili është gjithëpërfshirës me karakter kulturor si një ndër projektet më serioze të realizuara në Kosovë.