FOTO KOMUNA E LIPJANIT

Komuna e Lipjanit vendos kamera të sigurisë në rrugët e qytetit

Komuna e Lipjanit ka njoftuar se është afër finalizimit të projektit për instalimin e kamerave të sigurisë në rrugët e qytetit.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti dhe komandanti i Stacionit të Policisë në Lipjan, Driton Imeri kanë përcjellë sot pamjet e para të kamerave të cilat janë vendosur në rrugët e qytetit.

Ahmeti është shprehur i kënaqur me investimin që është bërë duke theksuar se kjo ndikon pozitivisht në rritjen e sigurisë në qytetet.

“Gjithsejtë janë vendosur 21 kamera, 17 statike dhe katër rrotulluese”, thuhet në njoftimin e komunës së Lipjanit.

Komuna ka njoftuar se kamerat janë vendosur në rrugët tek rreth-rrotullimi i rrugës ”Shqipëria”, “Lidhja Prizrenit”, ku janë vendosur katër kamera, në sheshin “Adem Jashari” është vendosur një kamerë rrotulluese, në udhëkryqin tek semaforët janë vendosur katër kamera, tek rreth-rrotullimi në rrugën “Lidhja Prizrenit”, “ Shën Flori” katër  kamera, tek trekëndëshi në rrugën “Skënderbeu”, “Shën Flori” tri  kamera,  afër shkollës fillore “V.Frashëri” një kamer, tek trekëndëshi “Skenderbeu”, “Shqipëria” dy kamera dhe në rrugën “Haradin Bajrami” dy kamera.

Projekti për vendosjen e kamerave në komunën e Lipjanit ka kushtuar 31 mijë e 200 euro.