Asambleja Komunale e Lipjanit. Foto: Kallxo.com

Komuna e Lipjanit ia huq me kalkulimin e të hyrave nga tatimi në pronë

Parregullsi në kalkulimin e të hyrave për tatimin në pronë ka gjetur Auditori në Komunën e Lipjanit, gjatë vitit që e lamë pas.

Sipas Auditorit në shtatë raste tatimpaguesve të njëjtë i janë njohur dy e më shumë prona si banim kryesor, gjë që sipas tyre ka ndikuar që të hyrat në këto raste të nënvlerësohen për 120€.

Zyra Kombëtare te Auditimit (ZKA) ka theksuar se sipas Ligjit për tatimin, në pronën e paluajtshme neni 9, “Çdo person fizik, i cili më 1 mars ose para 1 marsit të një periudhe tatimore vendosë që prona ose njësia e banimit që shërben si vend kryesor për banim, i lejohet zbritja prej dhjetëmijë euro (10.000€) nga vlera e tatueshme e pronës”.

Auditori ka përmendur edhe një rast specifik kur komuna kishte aplikuar gabimisht tarifën tatimore duke  e mbivlerësuar obligimin tatimor.

“Bazuar në Rregulloren komunale mbi caktimin e tarifave neni 2, komuna në një rast kishe aplikuar gabimisht tarifën tatimore duke mbivlerësuar obligimin tatimor prej 163.35€, pasi ka aplikuar tarifën 0.30% për pronat komerciale. Ndërsa sipas dëshmive kjo ishte pronë industriale/depo, që duhej të tarifohet më ulët apo 0.20%”, thuhet në raport.

Poashtu ZKA ka përmendur se sipas nenit 7 të Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, Kuvendi komunal cakton tarifat tatimore mbi pronën në bazë vjetore në shkallën prej 0.05 % deri 1 % të vlerës së pronës në treg.

“Tarifat e tatimit lëvizin brenda kategorive vijuese të pronës: prona rezidenciale, pronë e banuar, pronë komerciale, pronë industriale etj”, thuhet në të gjeturat e raportit të ZKA-së.

Tutje Auditori ka  theksuar se kjo ka ardhur si pasojë e angazhimit të anketuesve jo profesional në teren për verifikimin e gjendjes ekzistuese të pronave, krahasuar me të dhënat në sistem dhe pakujdesisë së zyrtarëve të angazhuar për regjistrimin dhe përditësimin e këtyre të dhënave në bazë të informatave faktike.

Auditori si rrezik ka përmendur se ngarkesat e pasakta të tatimit në pronë rezultojnë me më pak fonde për komunën dhe dëmtojnë tatimpaguesin në rastet e mbivlerësimit të obligimit tatimor.

ZKA ka rekomanduar kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti që gjatë procesit të regjistrimit dhe verifikimit të pronave t’i kushtohet kujdes ndryshimeve fizike që ndodhin dhe regjistrimit të pronave të reja po edhe ndryshimet në kategorinë e pronave dhe shfrytëzimin e tyre sipas kategorizimit ligjor.

“Kjo duke aplikuar anketim profesional dhe ndryshim me kohë të të dhënave në bazë të gjendjes faktike dhe rregullave në fuqi”, thuhet tutje në rekomandim.

Në lidhje me këto gjetje të Auditorit, kryetari Imri Ahmeti është pajtuar dhe se brenda 30 ditësh është zotuar se do të dorëzoj një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur publikimin e raporteve të auditimit për vitin 2018.