Ilustrim

Komuna e Klloktit i blen 'tinëz' tre telefona

Komuna e Kllokotit nuk e ka respektuar fare Ligjin e Prokurimit Publik kur ka vendosur të blej pajisje teknike për nevoja të zyrtarëve të Komunës.

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se Komuna e Kllokotit ka shpenzuar paranë publike për të blerë 3 telefona pa zbatuar asnjë proces të prokurimit publik.

“Me rishikimin i dokumentacionit të paraqitur, është përcaktuar se Komuna ka blerë tre (3) telefona celular, pa zbatimin e procesit të prokurimit publik, e kjo është në kundërshtim me procedurat e përcaktuara nga Ligji nr. 03/L-048 LMFPP, Neni 17”, thuhet në raportin e auditorit.

Zyrtarët e Komunës kishin paraqitur një kontratë të pavlefshme.

“Subjekti ka bashkangjitur një kontratë të pavlefshme në lëndë”, thuhet tutje në raport.

Auditori i ka dhënë vërejtje Komunës, për shkak se anashkalimi i procedurave të Prokurimit mund ta dëmtoj buxhetin e Komunës dhe ta favorizoj ndonjë kompani tjetër me çmim më të lartë.

“Anashkalimi i procedurave të prokurimit të parapara me ligj mund të çojë në favorizim të operatorëve të caktuar dhe në dëmtimin e buxhetit përmes mos arritjes së vlerës për paratë e shpenzuara”, thuhet në mes tjerash në raport.

Auditori i ka kërkuar kryetarit të Komunës që të ndërmarrë masa që çdo procedurë e prokurimit të kryhet në përputhje me ligjin.

Këtu mund ta gjeni raportin e auditimit për Komunën e Kllokotit.