Komuna e Klinës Rikthen Bursat për Studentë

Pas tetë vjetësh pa bursa për këta studentë asamblistët e Komunës së Klinës votuan unanimisht propozim-vendimin për ndarjen e bursave.

Hajdin Morina, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Klinë, theksoi se një iniciativë e tillë është marrë nga kryetari Sokol Bashota dhe bursat sipas tij do të shpërndahen në kuadër të Rregullores për Subvencione.

Sipas Morinës, komuna ka kapacitete të shpërndajë gjithsej 20 bursa dhe në kuadër të kritereve për marrjen e tyre, përveç notës mesatare do të kenë përparësi studentët me kushte të rënda ekonomike dhe ata që u takojnë familjeve të dëshmorëve.

Asamblisti i LDK-së dhe zëvendësministri i Ministrisë së FSK-së Fadil Gashi në seancën e asamblesë ku u miratua ndarja e bursave kërkoi që kriter kryesor i dhënies së tyre të jetë nota mesatare, pasi sipas tij bursat nuk janë ndihmë sociale

“Kjo (bursa) nuk është asistencë sociale, veç këtë dallojeni. Kjo është bursë dhe dihet kush merr bursë,” deklaroi Gashi.

Ai kërkoi që përparësi për bursa të kenë studentët e drejtimeve deficitare në Komunën e Klinës.

Ndërsa Enver Berisha nënkryetar i Komunës së Klinës për KALLXO.com tregoi shumën e bursave dhe mundësitë aktuale komunale për ndarje të tyre.

“Për shkak se buxheti nuk lejon ma shumë, t’i ndajmë këto 20 bursa me nga 50 euro në muaj për ketë vit kalendarik. Ne kemi shpresën që ta rrisim këtë numër (20 bursa) dhe shumën e mjeteve për këta studentë dhe ne po shpresojmë që shumë shpejt këtyre kandidatëve t’u mundësojmë të aplikojnë,” tha Berisha.

KALLXO.com para dy javësh kishte shkruar për mungesën tetëvjeçare të ndarjes së bursave për Studentë nga Komuna e Klinës. http://kallxo.com/tete-vjet-pa-bursa-studentore-ne-kline/

Enver Berisha falënderoi KALLXO.com për ngritjen e kësaj çështjeje.

“…KALLXO.com e falënderojmë që e ka hapë këtë temë bashkërisht me ne dhe ne ashtu siç jemi zotuar edhe më herët, jemi zotuar së bashku me kryetarin që do gjejmë zgjidhje,” tha Berisha.