Komuna e Gjilanit | Foto: Atdhe Mulla

Komuna e Gjilanit paralajmëron grumbullimin e borxheve përmes përmbaruesve

Komuna e Gjilanit ka njoftuar se nga e mërkura fillon grumbullimin e borxheve përmes përmbaruesve ndaj borxhlinjve për shlyerjen e obligimeve për disa muaj me radhë.

Kështu u bë e ditur përmes një komunikate per media nga mbledhja e radhës së Bordit të Drejtorëve, ku është diskutuar edhe për përgatitjet për fillimin e mësimit pas pushimit një javë.

Bëhet e ditur se në këtë takim është diskutuar edhe për aksionet e Drejtorisë së Inspekcionit për lirimin e hapësirave publike nga uzurpatorët, sikurse nuk do të ketë tolerancë as ndaj atyre që tentojnë të ndërtojnë objekte pa leje ndërtimit.

Po ashtu, në takimin e bordit është diskutuar edhe për ruajtjen dhe kujdesin ndaj pyjeve, pasi ditëve të fundit ka pasur ndezje të zjarreve, kryesisht në malet e Karadakut.

Përveç tjerash, kryetari i Gjilanit ka konfirmuar se tashmë do të fillohet me ndërtimin e 20 shtëpive për njerëzit pa kulm mbi kokë.