Mimoza Kusari- Lila, kryetare e Komunës së Gjakovës

‘Komuna e Gjakovës u Injorua nga Qeveria’

Mimoza Kusari-Lila ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se e ka injoruar Komunën e Gjakovës ndonëse kjo ka qenë shumë e pranishme me kërkesa dhe projekte.

Në mbledhjen e fundvitit me gazetarë, kryetarja e Gjakovës ka thënë se 2016 ishte vit i sfidave, angazhimeve, por edhe i sukseseve.

Sfidë ajo e ka quajtur tërheqjen e njëanshme të mjeteve nga thesari për shkak të obligimeve të mbetura nga Komuna që nga viti 2007, mandej injorimin, sipas saj, nga Qeveria të Komunës që e drejton edhe pse ka qenë shumë e pranishme me kërkesa dhe projekte. “Komuna e Gjakovës është anashkaluar tërësisht nga Qeveria e Kosovës”, tha ajo.

Si dy karakteristika më të veçanta të bojkotimit nga Qeveria, Mimoza Kusari-Lila ka përmendur refuzimin e kredisë nga Ministria e Financave për projektin e unazës së brendshme dhe të jashtme të Gjakovës në vlerë prej 18 milionë euro dhe zvarritjen e shpronësimit për Ngrohtoren e qytetit.

“Përderisa Qeveria e Kosovës ka marrë kredi për 4 komuna, Komunës së Gjakovës nuk iu lejua marrja e kredisë të cilën do ta paguante Gjakova vet. Një tjetër karakteristikë e vështirësive të karakterizuara në Komunën e Gjakovës ka të bëjë me Ngrohtoren e qytetit. E dini, është dashur ndërhyrja e Sekretariatit të Energjisë në Vjenë me një letër dhe më një prezencë të vet drejtorit të Zyrës, natyrisht edhe presioni mediatik, në veçanti përmes BIRN-it, që ky vendim më në fund të kalojë me gati një vit vonësë“, tha Kusari-Lila.

Kryetarja aludoi në hulumtimin e emisionit “Jeta në Kosovë“, i cili tregonte se një grant prej 12 milionë eurosh nga BE-ja për ngrohtoren e re të Gjakovës rrezikohej nga zvarritja burokratike e shpronësimit të 2.3 hektarëve.

Lëngimi Njëvjeçar i Gjakovës për Ngrohtoren e Re

Kryetarja Mimoza Kusari-Lila ka veçuar të arriturat e përgjithshme të Komunës, e cila nga organizata DEMOS është vlerësuar si performuesi më i mirë, me ç’rast ka përfituar mjete shtesë në shumë prej 600 mijë euro, mandej zotimin e mjeteve për ndërtimin e Ngrohtores së re të qytetit, projekt të cilin Komisioni Evropian e ka mbështetur me 12 milionë euro, mbështetjen e bizneseve, etj.

Sukses tjetër për këtë vit, të cilin e theksoi kryetarja Mimoza Kusari-Lila është impianti i ujërave të zeza në vlerë prej 16.8 milionë euro, projekt që veç është në procedurë dhe do të jetësohet në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim.

Duke folur për infrastrukturën, kryetarja përmendi përfundimin e rrjetit të ujësjellësit edhe për gjashtëmbëdhjetë fshatra, ndërkohë në proces janë edhe 24 fshatra të Rekës së Keqe.

Sukses të qeverisjes së saj Mimoza Kusari-Lila e përmendi edhe rritjen për 29 për qind hyrave vetanake.