Komuna e Gjakovës shtron asfalt nëpër lloç

Një rrugë në fshatin Ramoc të Gjakovës ka filluar të shtrohet mbi lloç.

Punimet në rrugën ‘Fortesa’ e cila lidh fshatin Ramoc dhe fshatin Korenicë, sipas banorëve kanë vazhduar  edhe sot, por sipas tyre kushtet atmosferike nuk janë të mira për të shtruar asfaltim.

Në fotografitë e dërguara në redaksinë e KALLXO.com shihet gjendja e rrugës në të cilën janë duke vazhduar punimet.

 

 

‘Gjatësia e rrugës që pretendohet të shtrohet është rreth 6 kilometra. Nuk e di sa është e lejuar të punohet në këto kushte dhe në këtë gjendje’, ka thënë njëri nga banorët e këtij fshati.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Publike në Komunën e Gjakovës, Shkumbin Kastrati i cili ka thënë se janë plotësuar kushtet për vazhdimin e punimeve në këtë rrugë.

‘Për gjendjen e rrugës janë kompetent inxhinerët dhe mbikqyrësit e punimeve. Pas rekomandimit të tyre për gjendjen e rrugës, duke marrë parasysh se edhe temperaturat janë optimale për të vazhduar punimet, Kuvendi Komunal në Gjakovë ka vendosur që punimet të vazhdojnë’, ka thënë Kastrati.

Ai tutje ka shtuar se punimet do të vazhdojnë edhe në tri ditët në vazhdim pasi temperaturat parashihen të jenë deri në 10 gradë.

Kastrati ka shtuar se banorët e fshatit Ramoc, tri ditë më parë kanë bërë presion dhe akuza në Kuvendin Komunal, për përfundimin e këtyre punimeve.

‘Para tri ditëve kanë bërë presion dhe akuza edhe në Kuvendin Komunal banorët e këtij fshati, ku kanë kërkuar asfaltimin’, ka thënë Kastrati.

Për më shumë vlerësojini fotografitë që dëshmojnë se në çfarë kushte po shtrohet asfalti: