Komuna e Gjakovës, FOTO: KALLXO.com

Komuna e Gjakovës ndalon punën e bizneseve më 17 e 18 shkurt

Komuna e Gjakovës nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se të gjitha subjektet afariste dhe veprimtaritë e tjera ekonomike nuk duhet të punojnë me rastin e ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Sipas njoftimit, përveç datës 17 që i bie e diel, subjektet afariste ndalohen të punojnë edhe ditën e hëne, sipas Ligjit për Festa në Kosovë.

“Bazuar në Ligjin për Festat në Republikën e Kosovës, kur ditët e festave zyrtare bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jetë ditët pasardhëse të punës, bazuar në këtë dhe në kalendarin e festave zyrtare të Republikës së Kosovës, ditë pushimi për veprimtaritë ekonomike në Komunën e Gjakovës është 18 Shkurt 2019, e hëne”, thuhet në njoftim.

Përjashtim bëjnë veprimtaritë afariste si hoteleri, furrat e bukës, sallonet e ondulimit, veprimtaritë shëndetësore dhe pikat e shitjes së karburanteve.

“Drejtoria për Punë Inspektuese kërkon që të respektohen dispozitat e rregullores në fuqi, në të kundërtën i paralajmëron të gjithë pronarët dhe personat përgjegjës se në raste se Inspektoret e Tregut konstatojnë se ushtrohet veprimtarie me datën 18, do të gjobiten si dhe do të ju ndalohet përkohësisht ushtrimi i veprimtarisë që është në kundërshtim me nenin 14 të Rregullores për orarin e punës së veprimtarive afariste dhe OJQ-ve në Komunën e Gjakovës”, thuhet më tutje në njoftim.