Arkiv - Pamje nga mbledhja e jashtëzakonshme e Asamblesë Komunale të Deçanit – Foto: KALLXO.com

 Komuna e Deçanit paditet për mos respektim të barazisë gjinore

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal përmes Ministrisë së Drejtësisë, më datë 5 tetor 2018, nëpërmjet një shkrese përcjellëse, ka njoftuar se ka paditur komunën e Deçanit për arsye se nuk ka respektuar urdhërat e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, gjatë procesit të themelimit të Komitetit për  Politikë dhe Financa

Vendimi i Kuvendit të komunës së Deçanit, Nr. 1-5, i miratuar më datë:14 Dhjetor 2017, që kishte paraparë themelimin e Komitetit për Politikë dhe Financa, bie në kundërshtim me Ligjin për Barazi Gjinore Nr.05/L-20, sepse nuk ka garantuar përfaqësim të barabartë gjinor të grave në këtë trup ndihmues të punës së kuvendit.

Ky veprim i komunës së Deçanit, pas kontrollit të ligjshmërisë nga MAPL,  konstatohet se është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Kjo për faktin se, nga 7 anëtarë të zgjedhur, kuvendi komunal i Deçanit kishte zgjedhur vetëm një grua, veprim i cili shkelë kriterin e përcaktuar në ligjin për Barazi Gjinore që thotë se: “Përfaqësimi i barabartë gjinor në gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%)  për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”.

Sipas kësaj shkrese njoftuese, sqarohet se kuvendi i komunës së Deçanit, konform nenit 82.2 të Ligjit nr. 03/L040 për Vetëqeverisjes Lokale, nuk ka ndërrmarë asnjë veprim ndaj kërkesës së MAPL-së për shqyrtim dhe harmonizim të aktit me legjislacionin në fuqi, dhe si rrjedhojë, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, në bazë të nenit 82 të Ligjit nr. 03/L040 për Vetëqeverisjes Lokale, ka dërgu aktin Nr. 1-5  të Komunës së Deçanit për themelimin e Komitetit për Politikë dhe Financa, në gjykatën kompetente për ta zgjidhur këtë çështje.

Më datë 27 dhjetor 2017, MAPL, i  kishte dërguar komunës së Deçanit kërkesën për rishqyrtim të aktit, kurse kuvendi i Komunës së Deçanit nuk kishte ndërrmarë asnjë veprim konform kërkesës së MAPL-së, duke shkelur dispozitat ligjore në fuqi.