Foto: Ilustrim

Komuna Alarmon për Rrezik nga Qentë Endacakë

Komuna e Prishtinës përmes një komunikatë ka bërë të ditur që ka ngritur nivelin e gatishmërisë emergjente në nivel të Komunës, për trajtimin e qenve endacakë.

Sipas komunikatës, lagjet më të rrezikuara nga qentë endacak janë: Hajvalia, Kalabria, Te Fshati Ndërkombëtarë, Qëndresa, Te Lagjja afër Medreses dhe Qendra e qytetit te Fakulteti Filozofik.

“Në bashkëpunim edhe me institucionet tjera relevante, Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë aktivitete të shtuara për trajtimin e qenve endacakë. Ndërkohë, Drejtori i Administratës Publike, Muhedin Nushi dhe Shefja e Kabinetit të Kryetarit, Fitore Pacolli, po zhvillojnë takime me përfaqësuesit e KFOR-it, FSK-së, Departamentin e Veterinarisë dhe me Komandantët e e Stacioneve Policore dhe Zonave të Kryeqytetit, për këtë problem”, thuhet në njoftim.

Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga qytetarët që te kenë kujdes të shtuar gjatë ditëve në vijim deri në stabilizim të situatës dhe se qytetarët do të informohen me kohë mbi situatën aktuale në Komunën e Prishtinës.

Lidhur me rrezikun ndaj qenve endacak ka reaguar edhe kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti i cili u është drejtuar me një letër të hapur përfaqësuesve të Institucioneve vendore e ndërkombëtare.

Ai përmes kësaj letre ua ka tërhequr vëmendjen këtyre institucioneve lidhur me rrezikun që u kanoset qytetarëve nga qentë endacak.

“Javëve të fundit dhe posaçërisht ditëve të fundit, numri i qenve endacakë është shtuar dukshëm dhe ka arritur nivele alarmante. Kemi dhjetëra thirrje në ditë nga qytetarët që po lajmërojnë incidente çdo orë, ku mezi kanë shpëtuar nga sulmet”, thuhet në letrën e Ahmetit.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur që komuna e Prishtinës ka të kontraktuar një kompani për sterilizimin dhe kastrimin e qenve, mirëpo këto kapacitete nuk po mjaftojnë.

“Jemi të detyruar të kërkojmë ndihmën e institucioneve qendrore para se të ndodhë ndonjë tragjedi. Kërkojmë ndihmë nga Qeveria, Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, UP – dega e veterinarisë si dhe KFOR-i për tu ballafaquar me këtë problem”, thuhet në letrën e dërguar.

Sipas tij organizimi i një takimi të menjëhershëm për koordinim të institucioneve është i domosdoshëm.

Qentë Endacakë-Rreziku dhe Problemet me Strehimore, Ligj e Inspektorë

http://kallxo.com/qytetaret-te-shqetesuar-nga-qente-endacake/

http://kallxo.com/deshton-dy-here-tenderi-per-grumbullimin-e-qenve-endacake-ne-gjakove/