Vasfije Krasniqi Goodman, një nga të paktat kosovare që ka folur hapur për përdhunimin e saj gjatë luftës. Foto: Presidenca e Kosovës.

Kompensimi vjen vonë për të mbijetuarit e përdhunimeve në luftërat në Ballkan

19 qershori shënohet çdo vit nga Kombet e Bashkuara si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt në një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për nevojën për t’i dhënë fund dhunës seksuale në konflikt dhe për të nderuar viktimat.

Dy dekada pas luftërave në Ballkan, ka pasur progres në futjen e legjislacionit për të mbështetur viktimat në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë dhe në ndjekjen penale të autorëve për krimet e tyre, por ka ende punë për të bërën, thonë ekspertët për BIRN.

Bosnje dhe Hercegovinë: drejtësi e ngadaltë

Ashtu si në vendet e tjera në ish-Jugosllavi, nuk ka shifra të konfirmuara për numrin e personave të përdhunuar gjatë luftës, por vlerësimet kanë variuar nga 20,000 në 50,000.

Një nga problemet kryesore me të cilat përballen të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë është se vendi deri tani nuk ka arritur të miratojë një ligj në nivel shtetëror mbi Mbrojtjen e Viktimave të Torturës, i cili do të ofronte ndihmë financiare, ndihmë për rehabilitim dhe përfitime të tjera.

Të dyja dy entitetet e vendit, Republika Srpska e udhëhequr nga serbët dhe Federata Boshnjake me shumicë boshnjake dhe kroate, kanë ligje të ngjashme të tyre, por të dy kanë të meta të konsiderueshme.

Murat Tahiroviç, president i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit, tha për BIRN se situata aktuale nuk ndihmon të gjitha viktimat në secilin entitet.

“Çdo ligj në nivel entiteti, në Republikën Srpska apo në Federatë, gjithmonë do të përjashtojë disa viktima lufte, pasi vetëm ata që jetojnë në entitet mund të përfitojnë, jo ata që u larguan si rezultat i luftës dhe nuk janë kthyer më,” tha Tahiroviç.

Para vitit 2015, gjykata shtetërore e Bosnjës nuk u dha dëmshpërblime të mbijetuarve dhe deri më tani ka pasur vetëm pesë gjykime të tilla. Shumat e dhëna deri tani variojnë nga rreth 14,000 deri në 30,000 euro, sipas OJQ-së TRIAL International.

Një numri të madh njerëzish që kërkojnë kompensim u janë thënë nga gjykatat që të nisin vetë procedurat civile.

Megjithatë, paditë civile i vendosin viktimat në një pozitë të pafavorshme – ndryshe nga procedurat penale, ata nuk kanë të drejtë anonimiteti, mund të traumatizohen përsëri nga procesi gjyqësor dhe ata duhet të paguajnë avokatët, tha një raport nga TRIAL International.

Sabiha Husic, drejtoreshë e OJQ-së Medica Zenica, e cila ofron ndihmë për viktimat e përdhunimeve gjatë luftës dhe të formave të tjera të dhunës, theksoi se stigmat sociale ende i pengojnë të mbijetuarit të kërkojnë kompensim në gjykatë.

“Shumë pak kanë guximin të angazhohen në procese ligjore dhe të sigurojnë drejtësi,” tha Husiç për BIRN.

Sipas ligjeve të entiteteve, viktimat marrin një pension mujor, njësoj si me personat me aftësi të kufizuara ose të papunë. Megjithatë, një numër i madh i tyre nuk mbulohen nga legjislacioni.

Për shembull, Republika Srpska hedh poshtë të gjitha kërkesat e paraqitura pas vitit 2007 dhe legjislacioni në entitet kërkon që njerëzit të vërtetojnë se kanë pësuar lëndime fizike. Statusi i një “viktime civile të luftës” u jepet vetëm njerëzve me “60 për qind dëmtime në organizëm”, thotë ligji i Republikës Srpska.

Ligji i Federatës gjithashtu kërkon prova se viktimat janë 60 për qind të paaftë, por ofron një përjashtim të qartë për të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe nuk imponon kufizimet kohore për paraqitjen e pretendimeve që ekzistojnë në Republikën Srpska.

Ligji për Viktimat e Luftës në Republikën Srpska siguron një maksimum prej rreth 150 eurosh në muaj, dhe në shumicën e rasteve më pak, në përfitime për ata që i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës ose torturës, por aktivistët argumentojnë se legjislacioni po vihet në zbatim pjesërisht.

“Administratat në disa komuna nuk po e bëjnë punën e tyre si duhet dhe viktimat janë të mërzitur,” tha për BIRN muajin e kaluar Bozica Zivkoviç Railiç, presidente e Shoqatës së Grave- Viktima të Luftës.

Në entitetin e Federatës, sipas të dhënave të OJQ-së, rreth 800 njerëz kanë statusin e një viktime të përdhunimit gjatë kohës së luftës, dhe marrin rreth 80 euro në muaj ose pak më shumë, plus të drejtën për kujdes mjekësor falas. Disave prej tyre u janë dhënë gjithashtu apartamente ku të jetojnë.

“Shteti duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për ata që i kanë mbijetuar dhunës të kohës së luftës, për t’u treguar atyre se i njeh vuajtjet e tyre, por po shohim se kjo nuk po ndodh,” tha Jasna Zeceviç, kryetare e organizatës Viva Zene Tuzla, e cila drejton një qendër për terapi dhe rehabilitim.

Viktimat meshkuj të përdhunimit gjatë luftës ose të ndonjë dhunë seksuale kanë folur rrallë në publik dhe pak OJQ u ofrojnë atyre ndihmë.

Në vitet e fundit, numri i gjykimeve në Bosnje që përfshijnë akuzat për dhunë seksuale është rritur dhe aktualisht ato përbëjnë rreth 30 për qind të të gjitha rasteve të krimeve të luftës.

Në shumicën e gjyqeve për përdhunim gjatë kohës së luftës, të pandehurit që janë shpallur fajtorë janë dënuar me dy deri në pesë vjet burg.

Ndërkohë vlerësohet se do të duhen rreth dhjetë vjet para se të gjitha rastet e mbetura të përfundohen nga gjykatat e Bosnjës.

Kroacia: një “ndjesë simbolike”

Protesta në Vukovar në tetor 2018 në lidhje me progresin e ngadaltë për gjykimin e krimeve të luftës -Foto: Beta.

Në vitin 2015, parlamenti kroat miratoi ligjin e parë në vend që njeh përdhunimin si një krim lufte – Ligji mbi të Drejtat e Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë agresionit ushtarak kundër Republikës së Kroacisë në Luftën për Atdhe.

Legjislacioni, i cili mbikëqyret nga Ministria Kroate e Veteranëve të Luftës, u ofron viktimave ndihmë mjekësore dhe ligjore, si dhe kompensim financiar nga shteti – deri në 20,000 euro. Këto përfitime nuk varen nga një vendim gjyqësor.

Në maj të këtij viti, Zeljka Zokalj nga Ministria e Veteranëve të Luftës tha se rreth 25 milionë kuna (3.37 milion euro) tashmë janë dhënë për viktimat.

Nga viti 2015 e tutje janë paraqitur 249 kërkesa dhe janë miratuar 156 prej tyre.

Visnja Misin, një avokate nga Vinkovci i cila në vitet 1990 punonte si gazetare, tha se nga ata që kanë përjetuar një formë ndalimi gjatë luftës së viteve 1990 në Kroaci, të paktën 10 për qind përjetuan sulme seksuale, shifër që ajo vlerësoi se arrinte në rreth 3,000 njerëz.

Por, ndërsa debatonin projektligjin në vitin 2015, disa deputetë u shprehën se disa viktima duhet të përjashtohen nga legjislacioni, tha Nela Pamukoviç, një aktiviste që bashkëthemeloi Qendrën Gratë Viktima të Luftës.

“Ishte e qartë nga debatet parlamentare në vitin 2015 se deputetet konsideronin se vetëm gratë me kombësi kroate mund të merrnin dëmshpërblim, ndërsa gratë e përkatësisë etnike serbe nuk ishin viktima të agresionit kundër Republikës së Kroacisë,” tha Pamukoviç për BIRN.

Ligjvënësit besonin se ushtarët kroatë “nuk mund ta kishin kryer këtë krim”, tha ajo.

Ka pasur edhe probleme me zbatimin e ligjit, shtoi ajo. Disa viktimave u është refuzuar kërkesa për t’u regjistruar për përfitime – “për shembull, njerëz që janë shtetas kroatë, por përdhunimi është kryer në Bosnje, ose në rastet në të cilat komisioni vlerëson se përdhunimi nuk ka lidhje me agresionin kundër Republikës së Kroacisë”.

Si Pamukoviç ashtu edhe Misulin thanë se ligji erdhi shumë vonë, duke detyruar viktimat të përjetojnë përsëri traumën e kaluar, kaq shumë vite më vonë, por të dyja mendojnë se kjo ishte një arritje e madhe.

“Jam shumë e lumtur që të paktën disa nga viktimat po marrin përfitime, që shteti u tha atyre në mënyrë simbolike: “Më vjen keq që të ka ndodhur kjo gjë,” tha Misulin.

Pamukoviç megjithatë argumentoi se Ministria e Veteranëve të Luftës ende nuk po bën mjaftueshëm për të promovuar ligjin ose për të edukuar viktimat për të drejtat e tyre.

Ruzica Barbaric, një 67 vjeçare kroate, e cila u përdhunua pasi trupat serbe pushtuan qytetin lindor të Vukovarit në nëntor të vitit 1991, ka folur publikisht shumë herë për përvojën e saj.

Kur u fut ligji, Barbariç tha se kompensimi financiar ishte i mirëpritur dhe inkurajoi gratë e tjera që kishin vuajtur dhunë seksuale gjatë luftës që të gjenin guximin për të folur.

Por ajo gjithashtu bëri thirrje që autorët që të përballen me drejtësinë: “Ligji dhe kompensimi nuk vlejnë asgjë nëse autorët vazhdojnë të ecin të lirë. Unë dua që ata të përgjigjen për krimet e tyre,” tha ajo për agjencinë e lajmeve Reuters.

Kosova: stigmat sociale vazhdojnë

Çështja e dhunës seksuale të kohës së luftës ishte në qendër të lajmeve në Kosovë përsëri muajin e kaluar kur deputetja Flora Brovina tregoi një fotografi të asaj që ajo pretendoi se ishte një grua shqiptare e Kosovës teksa përdhunohej nga tre policë serbë.

Imazhi tronditi publikun, veçanërisht viktimat e përdhunimit dhe familjet e tyre, por shpejt u bë e qartë se fotografia nuk ishte autentike dhe në të vërtetë ishte marrë nga një faqe interneti pornografike.

Kjo shkaktoi reagime, me organizatat e të drejtave të grave që protestuan se viktimat nuk duhej të përdoreshin në mënyrë të tillë nga politikanët. “Mos e përdorni dhimbjen dhe vuajtjet tona për përfitime për veten tuaj,” bënin thirrje pankartat në protestë.

Mijëra gra besohet të jenë viktima të dhunës seksuale të shkaktuar nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës 1998-1999, edhe pse nuk ka statistika të konfirmuara.

Në vitin 2014, parlamenti i Kosovës e ndryshoi ligjin ekzistues për të drejtat e viktimave dhe veteranëve të luftës, duke përfshirë në legjislacion edhe viktimat e përdhunimit.

Në shkurt të vitit të kaluar, autoritetet filluan të marrin kërkesa nga viktimat e përdhunimit për verifikim. Që atëherë, rreth 800 të mbijetuar të dhunës seksuale kanë aplikuar, 145 janë pranuar dhe 102 janë refuzuar. Pjesa tjetër e aplikantëve janë duke pritur ende vendimet, pasi procesi mund të zgjasë deri në një vit.

Viktimat e verifikuara marrin 230 euro në muaj në pagesa kompensuese. Ata gjithashtu marrin përfitime shëndetësore; për shembull, nëse janë të sëmurë si pasojë e dhunës që pësuan gjatë luftës, shteti duhet të paguajë për trajtimin e tyre, edhe jashtë Kosovës, nëse nuk ka trajtim të përshtatshëm në vend.

Por ata nuk marrin falas kujdesin parësor ose të mesëm shëndetësor, siç marrin viktima të tjera civile të luftës, ose ndihmë psikologjike falas. Amnesty International paralajmëroi në një raport mbi legjislacionin se dispozitat e tij “nuk i plotësojnë ato të përcaktuara në standardet ndërkombëtare për viktimat e krimeve sipas ligjit ndërkombëtar”.

Të mbijetuarit kanë kohë deri në shkurt 2023 të paraqesin kërkesat e tyre, që Amnesty International beson se është një afat shumë i shkurtër.

Stigma shoqërore e një shoqërie konservatore gjithashtu i pengon gratë të aplikojnë, tha grupi aktivist.

“Përdhunimi është një plagë që të djeg shpirtin ditë pas dite. Ai të turpëron para familjes dhe komunitetit tënd. Do ta mbani mbi kurriz gjithë jetën,” tha një e mbijetuar e cituar në raportin e Amnesty.

“Shoqëria jonë është patriarkale, një grua e ka të vështirë të dalë dhe të tregojë të vërtetën sepse ato turpërohen dhe denigrohen,” shpjegoi psikiatri Naim Fanaj.

Pak viktima kanë gjetur guximin për të folur, si Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila së fundmi dëshmoi përpara komitetit të punëve të jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara.

Burrat që kanë vuajtur sulme seksuale gjatë luftës në Kosovë kanë më pak gjasa të flasin publikisht për këtë.

“Ata na bënë shumë gjëra të tmerrshme. Madje, na dogjën edhe në pjesë intime me cigare, në mënyrë që të mos kryejmë më marrëdhënie seksuale,” tha për RTK në maj një viktimë i gjinisë mashkullore, i cili tha gjithashtu se policia serbe detyroi një baba të kryente marrëdhënie seksuale me të birin që të mos e vrisnin.

Vetëm disa prej atyre që janë përgjegjës për përdhunime gjatë luftës në Kosovë janë ndjekur penalisht.

“Asnjë nga aktakuzat e Gjykatës së Hagës ndaj autorëve të krimeve të regjimit serb nuk përfshinte akuza për përdhunim ose dhunë seksuale si një mizori e pavarur,” tha Paul Williams, një profesor drejtësie dhe për marrëdhënie ndërkombëtare në College of Law në Uashington.

Katër zyrtarë të lartë serbë të dënuar për krime lufte nga gjykata e Hagës u shpallën fajtorë për përgjegjësinë për persekutim me anë të dhunës seksuale, midis akuzave të tjera. Megjithatë, askush nuk është dënuar për përdhunim gjatë kohës së luftës nga gjykatat në Kosovë.

“Gjyqtarët kanë tendencë të japin vendime që respektojnë të gjitha të drejtat e njerëzve të akuzuar dhe identifikimi i tyre është një sfidë e madhe. Prandaj shumë herë të akuzuarit kanë shpëtuar pa marrë dënimin e merituar,” tha Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.