Kompensim Dëmesh për Viktimat e Krimeve

Për këtë qëllim komisioni ndryshoi Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive.

Propozimi për ndryshim të këtij ligji kishte ardhur nga Nisma Legjislative Qytetare që kishte mbledhur 13 mijë e 300 nënshkrime nga qytetarët për ta mundësuar këtë ndryshim.

Në propozim Nisma Legjislative Qytetare kërkonte që në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike të hyjë edhe paragrafi: “Gjykata kompetente është e autorizuar që të urdhërojë një organizatë buxhetore që të bëjë kompensimin për dëmet e shkaktuara, duke përfshirë dëmet e drejtpërdrejta ekonomike dhe joekonomike”.

Kryesuesi i komisionit Naser Osmani duke folur për ndryshimin e ligjit, tha se kompensimi i dëmit palës së dëmtuar është i garantuar edhe me kushtetutë.

“Ju e dini që edhe me kushtetutë, edhe me ligjin në Kodin e Procedurës Penale parashihet që i dëmtuari ka të drejtë në kompensimin e arsyeshëm të prodhuar nga gjykata për dëmin material, fizik dhe emocional për të pandehurin që është shpallur fajtor. Këto asnjëherë nuk kanë mundur të zbatohen për arsye se asnjëherë nuk ka qenë e qartësuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike,” tha Osmani.

Osmani bëri të ditur se kompensimi i dëmeve joekonomike është i rregulluar edhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërsa ndryshimin e sotëm në ligjin për financat e konsideroi më të rëndësishmin që ka nxjerrë Komisioni i Buxhetit dhe Financave në bashkëpunim me shoqërinë civile.

Për zbatimin e këtij ligji duhet të parashihet kostoja financiare dhe buxhetore, ndërsa Ministria e Financave në bashkëpunim me gjykatat e Kosovës duhet të nxjerrin statistikat dhe vlerësimet se sa ka pasur kërkesa të tilla në të kaluarën, në mënyrë që të ndahet vija buxhetore para miratimit të buxhetit në Kuvend.

Zëvendëskryetarja e Komisionit, Safetete Hadërxhonaj tha se viktimat e krimit duhet të kompensohen, dhe në ndërkohë qeveria duhet të sjellë deklaratën financiare.

“Ne si komision kemi vlerësuar se viktimat e krimit mund të kompensohen për dëmet financiare, fizike dhe emocionale që shkaktohen si pasojë e veprave penale. Në ndërkohë, qeveria duhet të na sjellë  deklaratën financiare, do të ishte mirë që këtë raport t’ia bashkëngjisim këtij ligji,” tha Hadërxhonaj.

Ministria e Financave, para miratimit në Kuvend të këtij ligji, pritet që të hartojë planin financiar dhe buxhetor për kompensimin e dëmeve ekonomike dhe joekonomike palëve të dëmtuara.