Kompania ndërtuese lë pa ujë edhe sot fshatin Shkabaj

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “ Prishtina”, sh.a. ka njoftuar konsumatorët e fshatit Shkabaj se duke filluar nga orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme sërish mbeten pa furnizim me ujë të pijshëm.

Sipas kompanisë, arsyeja e ndërprerjes së furnizimit me ujë të pijshëm është rrëshqitja e dheut mbi gypin e ujësjellësit nga një Investitor i cili është duke u marrë me ndërtime të larta të banesave.

“Investitori në fjalë duhet të jetë i obliguar nga komuna e Prishtinës që të bëjë sanimin e defektit dhe të jetë në shërbim të qytetarëve në mënyrë që sa më shpejtë t’u rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm. Pavarësisht dëmtimeve të tilla, meqë ujësjellësi u ka bërë disa herë thirrje publike investitorëve që të jenë më të kujdesshëm gjatë realizimit të projekteve të tyre ndërtimore, ekipet e ujësjellësit janë në vendin e ngjarjes dhe të përgatitur mirë që të ndihmojnë në sanimin e defektit në fjalë. Shembja e dheut mbi gypin e ujësjellësit është në rrugën “Gjergj Balsha” në lagjen Arbëria , në Prishtinë”, thuhet në njoftim.