‘Komiteti Olimpik me Strukturë Ilegale’
Leart Hoxha nga Federata e Basketbollit të Kosovës ka akuzuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit se ilegalisht ka vendosur përfaqësues të vet në Asamblenë e Komitetit Olimpik.
Hoxha tha se Fikret Shatri nga Departamenti i Sportit është votuar si delegat i Ministrisë e që sipas tij është në kundërshtim me statutin e KOK-ut dhe Kartën Olimpike.
“Departamenti i sportit ka delegu delegat në Kuvend të Komitetit Olimpik. Ky delegat është nënkryetar i Komitetit Olimpik ndërkaq statuti i KOK-ut dhe Karta Olimpike thekson se Qeveria dhe organet publike nuk guxojnë të delegojnë anëtarë”, tha Hoxha.
Ai gjithashtu theksoi se bordi dhe asambleja e këtij komiteti është e strukturuar ilegalisht dhe nuk e përfill statutin.
Këto akuza të bëra në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, i pranoi edhe Iber Alaj nga MKRS-ja.
Ai tha se Fikret Shatri nga kjo Ministri u zgjodh mirëpo sipas statutit të ri Ministria nuk do ta përsërisë më këtë gabim.
“Në të ardhmen, në kongresin e ardhshëm të Asamblesë së Komitetin Olimpik, ministria nuk do të ketë përfaqësues zyrtar. Edhe unë mendoj që nuk është e mirë, nuk është e dëshirueshme që një zyrtar apo një përfaqësues i ministrisë të jetë pjesë e organizatave sportive”, konstatoi Alaj.
Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun më poshtë: