Komisioni për Zhvillim Ekonomik - 21.05.2019
Komisioni për Zhvillim Ekonomik nuk e votoi vendimin e qeverisë për privatizimin e Telekomit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik… e ka hequr nga rendi i ditës pikën për vendimin e Qeverisë me të cilin autorizohet Komisioni Qeveritar për privatizimin e Telekomit të Kosovës, pasi nuk kishte kuorum për votim.
Dardan Sejdiu nga PSD, ka kërkuar që pika e pestë për miratimin e vendimit të qeverisë për privatizimin e Telekomit të shtyhet pasi ka një komision tjetër që po e heton Telekomin dhe duhet të pritet raporti i këtij komisioni.
“Raporti hetimor vjen për dy muaj dhe pastaj kemi një analizë dhe një informacion më të shëndoshë. Ne nuk duhet të paragjykojme analizën e BERZH-it dhe të mendojmë se zgjidhja e vetme për Telekomin është privatizimi, ka thënë Sejdiu.
Ndërsa Memli Krasniqi nga PDK e kundërshtoi kërkesen e Sejdiut duke thënë se gjendja e Telekomit nuk duhet të mbetet peng.
“Qeveria e ka detyrën ligjore që duhet me implementu, komisionin hetimor e kemi përkrah dhe nuk duhet me e lon peng gjendjen e Telekomit. E nëse e aprovojmë atëherë kjo çështje do të shkojë në seancë plenare. Nuk mendoj që është mirë me e shty”, ka thënë Krasniqi.
Pasi ishin vetëm gjashtë anëtarë të Komisionit dhe Dardan Sejdiu deklaroi se nuk do të merr pjesë në votim, pika u shty pasi nuk do të kishte kuorum për të marrë vendim.
Komisioni për zhvillim ekonomik në këtë mbledhje miratoi raportin e punës për vitin 2018 të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.