Foto: Kallxo.com

Komisioni për Telekomin diskuton për emrat që do të dëshmojnë gjatë hetimit parlamentar

Komisioni parlamentar për hetimin e PTK-së ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku është diskutuar për emrat që do të dëshmojnë në këtë komision gjatë hetimit të nisur.

Kryetari i komisionit, Visar Ymeri, ka propozuar që të ftohen të dëshmojnë të gjithë drejtuesit e kompanive që kanë pasur kontrata me PTK-në.

Ndërsa deputeti Armend Zemaj tha se ka kompani që kanë përfituar miliona nga Telekomi dhe nuk kanë qenë të regjistruar në ARBK.

“Te kontratat për marketing ka shifra marramendëse që janë dhënë për individë por edhe persona juridikë. Domosdoshmërisht kërkohet informacione shtesë. Ka kompani që kanë marrë miliona dhe nuk janë të regjistruar në ARBK”, ka thënë Zemaj.

Propozimet e Zemajt ishin që të ftohen Valon Zhuriqi, Mehdi Latifi edhe Besnik Jani.

Milaim Zeka ka thënë se për të dëshmuar duhet të ftohet edhe ish drejtoresha e burimeve njerëzore në PTK, ndërsa propozoi edhe disa emra të tjerë.

“Duhet të ftohet edhe Shqipe Jashari, drejtoreshë e burimeve njerëzore, e cila është larguar pikërisht sepse i ka ndalë keqpërdorimet në PTK dhe gjithashtu personin që e ka zëvendësu atë”, tha Zeka, duke propozuar gjithashtu për të dëshmuar edhe Arsim Gjinovcin, Muhamet Xhemajlin dhe Shkelzen Blakajn.

Kurse deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se duhet të kërkohen të dhëna nga ARBK-ja, për kompanitë të cilat kanë pasur kontrata me PTK-në.

Emrat e propozuar të anëtarëve u miratuan në listën e dëshmitarëve që do të dëshmojnë në komision, ndërsa te rendi i ditës për ekspertët u kërkua qe të mbahet pa praninë e mediave.