Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme, Foto: Kallxo.com

Komisioni për Punë të Jashtme i thotë 'JO' platformës për dialogun Kosovë - Serbi

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike,  ka miratuar Projektligjin për Dialogun, por jo edhe platformën e Ekipit Negociator për procesin e negociatave me Serbinë.

Anëtarët e këtij Komisioni Parlamentar janë përfshirë në polemika për procesin e dialogut me Serbinë, idenë e “korrigjimit të kufirit” si dhe për platformën e Ekipit negociator.

Deputetët nga radhët e opozitës, kërkuan qe të mos shqyrtohet platforma pa u miratuar në lexim të dytë Projektligji  për Dialogun, mirëpo ky propozim nuk kaloi, ndërkaq pas diskutimeve për platformën, e njëjta nuk u miratua për shkak të mungesës së kuorumit.

Anëtarja e Komisionit, Doruntinë Maloku (LDK), kërkoi që të hiqet nga rendi i ditës shqyrtimi Platformës për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

“Pika e 4-të për Projektligjin për dialogun nuk i plotëson kushtet. Meqenëse nuk është miratuar ligji për dialogun, prandaj kjo pikë duhet të hiqet nga rendi i ditës. Është jashtëligjore kjo që po tentohet të bëhet”, tha Maloku.

Edhe kryetarja e Komisionit Vjosa Osmani (LDK), tha se pajtohet me propozimin e Malokut.

“Pajtohem, me këtë kërkesë të informohet kryesia qe shkak u nenit 9. Ekipi të formohet me ligj. Kur hyn në fuqi ligji, të miratohet edhe platforma. Vetëm pasi të ndodhë shqyrtimi i dytë i Projektligjit, ne mund të mbledhemi si komision. Pasi në nenin 9 thuhet se ekipi formohet pas miratimit të ligjit për dialogun”, tha Osmani.

Ndërkaq, Anëtari i Komisionit, Elmi Reçica (PDK), tha se Ekipi negociator është legjitim, pasi është miratuar në Kuvend.

“Ekipi negociator është votuar në Kuvend. Meqë është votuar, është legjitim. Delegacioni shtetëror dhe rezoluta bashkë me të është votuar”, tha Reçica.

Edhe anëtarja e Komisionit Time Kadriaj (AAK), kërkoi që të trajtohen projektligji dhe platforma për dialogun.

“Nuk ka asgjë të keqe që sot të trajtohet projektligji dhe platforma. Platforma duhet të trajtohet sot dhe të shkojë në seamcë plenare”, theksoi ajo.

Kurse, Glauk Konjufca (LVV), tha se është paradoksale të diskutohet platforma pa u miratuar ligji.

“Këtu kemi një paradoks dhe përgjegjësinë këtu e marrin ata që e kanë hartuar atë platformë dhe ligj.  Ata kanë sjellë platformë ende pa hy në fuqi ligji”, shtoi Konjufca.

Propozimin për të mos u shqyrtuar Projektligji në fjalë, e mbështeti edhe kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu (LVV), e cila në këtë mbledhje mori pjesë në cilësinë e deputetes.

Megjithatë, mes 5 vota për dhe 4 kundër Shqyrtimi i Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, u miratua.

Komisioni për Punë të Jashtme, diskutoi edhe për Platformën e Ekipit Negociator për dialogun.

Anëtari i Komisionit Dukagjin Gorani (PSD), kërkoi nga anëtarët që të përkrahin platformën në fjalë.

“Ju inkurajoj ta përkrahni e ta votoni këtë dokument. Është brenda një kompromisi që nuk ka qenë i lehtë. Këtë dokument ju inkurajoj ta shikoni si një përpjekje për mua maksimale e ndërtimit të një qëndrimi te përbashkët, për këtë çështje komplekse dhe të vështirë”, tha ai.

Ndërkaq, kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani (LDK), kritikoi platformën e delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë.

“Ekipi që tenton të formohet, delegacioni pranon të gjitha marrëveshjet e tjera të cilat janë arritur gjatë këtij procesi 6-7 vjeçar. Në të janë përmendur vetëm krimet e luftës, por jo edhe gjenocidi dhe krimi kundër njerëzimit. Si dokument ka probleme të mëdha. Është dokument që nuk e mbron territorin e Kosovës dhe as pavarësinë e saj”, tha ndër të tjerash Osmani.

Kritika të ashpra për platformën e pozitës, shfaqi edhe  Glauk Konjufca (LVV).

Konjufca deklaroi se kusht i presidentit Hashim Thaçi, ka qenë që kryeministri Ramush Haradinaj të mos e udhëheqë dialogun.

“Sa herë krijohet një koalicion qeverisës janë parimet e dukshme që bëhen publike. Sa i përket njërit prej atyre kushteve ka qenë parimi që kryeministri të heq dorë nga dialogu me Serbinë. Ky besoj që ka qenë kusht i presidnetit. Parimet gjentellmene: Presidenti e merr këtë çështje në dorë”, shtoi ai.

Ndërkaq, anëtari i Komisionit Zafir Berisha (Nisma), tha se nuk pajtohet me idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufirit.

“Nëse ne kemi një dokument por ky nuk është fundi i botës, sepse edhe pala tjetër do të ketë dokument. Duke ditë këtë situatë, shërbimi më i mirë për Kosovën është që ne të jemi unik për interes të Kosovës. Interesi mbrohet duke qenë bashkë”, tha ai.