Komisioni për Punë të Jashtme e voton Gjergj Dedaj për ambasador

Komisioni për Punë të Jashtme i ka dhënë dritën e gjelbër, kërkesës së Ministrisë së Punëve të jashtme për emërimin e Gjergj Dedaj ambasador në Maqedoni. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Fikrim Damka, deputet i Grupit 6+.

Ai ka thënë se Dedaj është votuar nga Komisioni në mbledhjen që është mbajtur të martën, me 31 korrik.

“E kemi pas anëtarin e grupit parlamentar 6+, i cili nuk e ka votu në këtë mbledhje dhe e ka kundërshtuar një njeri i cili i ka fyer komunitetet në Kosovë. Ai nuk duhet të emërohet dhe nuk duhet të përfaqësoj Kosovën në një shtet tjetër pa marrë parasysh ku”, tha Damka.

Deputeti Damka tha se do të bëjnë presion te presidenti që mos ta dekretoj Gjergj Dedaj ambasador.

“Është propozuar në komisionin e Punëve të Jashtme me votat e PDK-së ka kaluar, pozita e ka votuar, 6+ ka qenë kundër propozimit. Tash është puna te Presidenti. Ne si 6+ kemi kërkuar takim me presidentin, ku do të kërkojmë mos të emërohet, mos të nënshkruhet që Gjergj Dedaj të jetë ambasador dhe ta përfaqësoj Kosovën jashtë Kosovës”, tha Damka.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me Gjergj Dedajn, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Ndërkaq, Time Kadrijaj, zëvendëskryetare e parë e Komisionit për Punë të Jashtme dhe deputete e AAK-së, nuk ka pranuar të flas për KALLXO.com, duke thënë se çështja e përzgjedhjes së ambasadorit është konfidenciale deri në dekretim.

“Çështja e intervistimit dhe gjithë procesi deri në dekretimin e ambasadorëve nga presidenti është konfidenciale. Nuk mund të jap detaje”, tha Kadrijaj.

Edhe anëtari i Grupit 6+, Danush Ademi i cili është pjesë e këtij komisioni, ka treguar se çështja është konfidencale, mirëpo e ka konfirmuar se votimi i ambasadorëve ka kaluar pa përmendur emra.

“Ajo ka kalu, u kry. Votat janë sekrete, nuk mund te flas më shumë”, tha Ademi.

E reagim kishte edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku Vjosa Osmani kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe anëtarja Doruntinë Maloku nuk kanë marr pjesë fare në komision me arsyetimin se Grupi Parlamentar i LDK-s e konsideron proces të paligjshëm dhe se nuk kanë dashur të bëhen pjesë e shkeljeve ligjore.

“Partitë në pushtet po vazhdojnë të shkelin ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbim Diplomatik duke emëruar për ambasadorë militantë politik e partiak dhe duke injoruar kërkesën ligjore që mos të tejkalohet kuota prej 50% në emërime politike”, thuhet në komunikatën e lëshuar me 31 korrik nga LDK-ja.

Sipas LDK-s neni 7.7 i Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës kërkon që së paku 50% të të emëruarve si shefa misionesh të jenë Ambasadorë të karrierës, ndërsa pjesa tjetër të jenë të emëruar politik.

“Meqenëse përqindja e të emëruarve politikë në Ambasadat e Kosovës anekënd botës tashmë është tejkaluar dhe arrin në rreth dy të tretat , gjë të cilën e ka konfirmuar edhe vet Ministri i Jashtëm, z. Pacolli, përfaqësueset e LDK-së në Komision, kanë propozuar që mos të ketë emërime të reja politike derisa të rregullohet kuota prej 50/50, e kërkuar me ligj”, thuhet në komunikatë. LDK-ja ka qenë pjesë e qeverisë së kaluar në të cilën janë bërë emërime të personave me të kaluar politike nëpër pozita të ambasadorëve.

Në ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, thuhet se “Emërimi i Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve bëhet nga Presidenti i Republikës së Kosovës me dekret”.

Fikrim Damka, nga Grupi 6+ është pyetur për hapat që do t’i ndërmarrin nëse Dedaj dekretohet nga presidenti, ai tha se do të bisedojnë dhe së bashku me grupin do të marrin vendim.

“Ne e kemi biseduar me kryeministrin për këtë çështje. Kryeministri tha se Gjergj Dedaj është në koalicionin e PDK-s ai tha që për mua është ok shkarkimi edhe besoj që ka me shkarku prej zëvendësministrit më tutje është punë e presidentit. Besoj që ne do të bëjmë presion te presidenti”, tha Damka.