Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Foto: Kallxo.com

Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së vizitë në Ferizaj pas rastit të dy policëve të aksidentuar

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë pritet të vizitojë Ferizajn pas dy jave lidhur me rastin e dy policëve që dyshohet se ranë në lumin Lepenc, përderisa tani për tani vetëm njëri prej tyre është gjetur.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë kanë mbajtur takim për të diskutuar lidhur me Platformën Vjetore të Politikes së Inteligjencës dhe Sigurisë.

Zëvendëskryetarja së parë e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu pas këtij takimi që u mbajt me dyer të mbyllura tha se komisioni është informuar në lidhje me  Platformën Vjetore të Politikes së Inteligjencës dhe Sigurisë.

“Sot kemi pasur në rend të ditës informimin lidhur me platformën vjetore të politikës së inteligjencës dhe sigurisë, e kemi shqyrtuar si komision dhe tash më jemi të njoftuar për këtë platformë që tashmë është miratuar edhe nga qeveria. Për detaje nuk mund të flas se ky është dokument i klasifikuar prej tani deri në vitin 2023, janë vetëm dy kopje të kësaj platforme, një e ka qeveria dhe një e kemi ne”, tha Musliu.

Po ashtu gjatë mbledhjes komisioni ka caktuar edhe disa vizita të cilat do të bëhen në rajone të ndryshme të Kosovës, ku do të vizitohen drejtoritë rajonale të inteligjencës.

Një ndër rajonet që do të vizitohen pas dy jave nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë është edhe rajoni i Ferizajt për shkak të aksidentit të dy policëve në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit te vendi i quajtur “Kulla me qeshmë”.

“Për javën e ardhshme kemi vizitë në Pejë edhe një vizitë pas dy jave do të jetë në rajonin e Ferizajt. Vizita në Pejë ka qenë në planin e punës për muajin maj ndërsa sa i përket rajonit të Ferizajt e kemi propozuar për shkak edhe të rastit të fundit që ndodhi në Hanin e Elezit, është mirë që të jemi sa më afër dhe të informohemi drejtpërsëdrejti meqë i takon rajonit të Ferizajt”, ka theksuar Musliu.

Anëtarët e Komisionit që ishin pjesë e kësaj mbledhje ishin Arbër Rexha nga Lëvizja Vetëvendosje, Anton Quni nga LDK, Xhevahire Izmaku nga PDK, Slavko Simiq nga Lista Serbe dhe Bekë Berisha nga AAK.

Kurse munguan Liburn Aliu nga Vetëvendosje, Haxhi Shala nga NISMA dhe Teuta Rugova nga LDK.