Komisioni parlamentar për AKI-në - Foto: KALLXO.com

Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së Kërkon Sallë të Veçantë në Kuvend

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Donika Kadaj- Bujupi, tha se në planin e punës së Komisionit për vitin 2018 janë të parapara një mori aktivitetesh.

Sipas saj, roli i Agjencisë duhet të fuqizohet dhe të përkrahet për të funksionuar sa më mirë.

“Dihet se në Kosovë ka tema të rëndësishme dhe të ndjeshme dhe roli i Agjencisë është sikurse edhe në gjitha vendet e tjera i rëndësisë së veçantë por në Kosovë për shkak të specifikave që kemi për shkak edhe të problemeve që janë politike, tema që lidhen edhe me fqinjët, veriun, me ndërhyrjet e tyre të vazhdueshme, e tema të tjera që ne e konsiderojmë që duhet të dinamizohen si veprim i komisionit në mënyrë që të rritet kualiteti dhe të kemi të arritura në këtë fushë”, tha ajo.

Kadaj-Bujupi tha se kanë shqyrtuar mundësinë që në kuadër të Kuvendit të krijohet një ambient i posaçëm në të cilat do të mbahen takimet me drejtorin dhe përgjegjësit e AKI-së.

“Kërkuam po ashtu të shqyrtohet mundësia që në kuadër të Kuvendit të kemi ambiente të posaçme në të cilat do të mbahen takimet me drejtorin dhe përgjegjësit e Agjencisë në mënyrë që ashtu siç parashihet me ligj mos të ketë rrjedhje të informatave dhe të ketë mjaftueshëm konfidencialitet gjatë këtyre takimeve raportuese”, tha Kadaj-Bujupi.

Sipas kryetares së Komisionit, këto përvoja janë përvoja të cilat gjatë takimeve të tyre i kanë pa në vendet në rajon në Slloveni, Kroaci ku ekzistojnë ambiente të veçanta brenda Kuvendeve përkatëse.

“Prandaj do të procedojmë me një kërkesë në emër të komisionit të kemi edhe në një sallë të veçantë për takime e raportime”, u shpreh Kadaj-Bujupi.

Në vazhdim të mbledhjes, anëtarët e Komisionit e miratuan Projektplanin e punës për vitin 2018.