Komisioni për Legjislacion Miraton Planin e Punës për 2016

Pa praninë e anëtarëve nga partitë opozitare, Komisioni për Legjislacion ka miratuar Planin e Punës së Komisionit për vitin 2016.

Në këtë mbledhje, anëtarët e komisionit kanë dhënë edhe propozime shtesë  për planin e punës.

Deputeti i LDK-së Armend Zemaj, tha se duhet të plotësohet me ligjin për kuvendin, hartimin e rregullores së re, etj.

“Besoj që plani i punës duhet të plotësohet në tri pika. Është ligji për Kuvendin. Në kuadër të tij është edhe ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, por, edhe hartimi i rregullores së re, që komisioni ka mbetë që të punojë mbi dokumentet bazë që janë. Është produkt i joni, i një pune që është bërë edhe në të kaluarën dhe e kemi më të lehtë”, tha Zemaj.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Agim Aliu, tha se duhet ta shtojnë fokusin e ligjeve edhe t’i monitorojnë ato.

Shqetësimin tjetër sipas Aliut është çështja e projektligjit për konfliktin e interesit dhe ushtrimin e funksionit publik.

“Qeveria ka tregu joseriozitet në të dyja rastet edhe me draftin edhe me tërheqjen dhe mendoj që e ka pru në pozitë jo të mirë edhe komisionin për legjislacion dhe grupet punuese që kanë punu edhe herën e parë edhe të dytë me këtë projektligj”, tha Aliu.

Sipas Agim Aliut dhe sipas Agim Ademajt të LDK-së, këtë projektligj ose duhet ta bëjë qeveria ose vetë komisioni.

Ndërsa Selvije Halimi, nënkryetare e komisionit nga PDK-ja ka ftuar anëtarët e komisionit që t’i miratojnë në pako amendamentet e grupit punues në Projektligjin për Mjekësinë Ligjore.

Ky propozim mori votat pozitive të të gjithë anëtarëve.