Foto: Kallxo.com

Komisioni për Legjislacion Konteston Kandidaturat e Qeverisë për Agjencinë e Pronës

Komisioni për Legjislacion nuk e ka përkrahur listën me persona të propozuar për drejtor dhe zëvendësdrejtor të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Kundërshtime për Propozim-vendimin e Qeverisë me kandidatët për drejtor dhe zëvendësdrejtor kanë ardhur për shkak të lidhjeve të kandidatëve me politikën.

Naser Shala, i njohur gjatë luftës me nofkën “Ftyra” do të garojë me Florije Kikën për pozitën e drejtorit të kësaj Agjencie. Kurse, Milaim Çekaj dhe Mark Buzhala janë propozuar për postin e zëvendësdrejtorit të kësaj Agjencie.

Ky propozim-vendim i qeverisë do të shkojë për votim në seancën e Kuvendit pa përkrahjen e Komisionit për Legjislacion.

Kryesuesja e Komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu, tha se nuk e ka përkrahur propozimin e Qeverisë për drejtor të Sekretariatit të AKVP-së duke u arsyetuar në, siç tha, veprimet e tij pas luftës. Naser Shala gjatë luftës ka qenë i njohur me nofkën “Ftyra”. Ai shihet në një fotografi të bërë gjatë luftës si roje e komandantëve të UCK-së, Hashim Thaçit, Fatmir Lumaj dhe Sylejman Selimit derisa këta tre mbajnë një klonferencë për shtyp në një ambient të hapur.

“Është bërë e zakonshme për me thënë pse po e kritikon. Unë kam respekt për secilin ushtar por s’kam respekt ndaj atyre që e kanë shfrytëzu për t’u pasuruar. Është një person që s’ka integritet as profesional as moral. Propozimi është bërë me nënshkrimin e zotit Haradinaj”, tha Haxhiu.

Kallxo.com ka shkruar se i njëjti ka hyrë në rreth të ngusht për t’u bërë drejtor i Agjencisë që do të ketë barrën e krahasimit të dokumentacionit të kadastrës që ka ardhur nga Serbia.

Ish-Ushtari i Limajt Propozohet nga Qeveria për Drejtor të Agjencisë

Shkumbim Demaliaj ka reaguar ndaj deklaratave të Haxhiut, duke kërkuar që mos të degradohen përsonalitetet.

“Nuk jemi ne ata që vendosim kush është kush qa ka bo në luftë dhe pas lufte”, ka thënë Demaliaj.

Korab Sejdiu, deputet i pavarur, ka thënë se emrat e propozuar janë politikë.

“Nuk dua të lëshohem te kandidatët, por janë të dërguar politikë që është fatkeqësi e madhe. Duhet me ardhë te një moment ku duhet me thanë a është kandidati i aftë se kështu po dëmtohemi”, tha Sejdiu.

Nezir Çoçaj i PDK-së i ka dalë në mbojtje Naser Shalës. Ka thënë se komisioni parlamentar ka për obligim të deklarohet a janë pro apo kundër, por jo që t’ia bëjnë gjyqin kandidatëve.

“Është mirë mos me ba etiketime të tilla sidomos për zotin Shala. Nuk është mirë në këtë mënyrë të sulmohen njerëzit”, tha Çoçaj.

Arben Gashi (LDK) ka thënë se komisioni ka mundësi që t’i rekomandojë seancës që mos të emërohen personat e propozuar, nëse ka dyshime për përvojën e tyre të punës.

Këta emra janë dërguar në seancë, pa përkrahjen e Komisionit për Legjislacion.