Komisioni per Legjislacion

 Komisioni për Legjislacion diskuton situatën e krijuar në Gjykatën e Mitrovicës

Komisioni për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës ka diskutuar letrën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikola Kabashiq, i cili u ka shkruar letër ambasadorëve në Kosovë dhe shefave të misioneve ndërkombëtare që ta shfrytëzojnë autoritetin e tyre për të ndikuar te institucionet e Kosovës që ta ndryshojnë qëndrimin “në mënyrë që situata në Kosovë të normalizohet” dhe që ata “ta kthejnë besimin te banorët serbë”.

Këtë letër Kabashiq e kishte shkruar pas vendosjes së taksës 100 nga qeveria e Kosovës për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Albulena Haxhiu kryetare e Komisionit tha se “jemi këtu për të diskutuar lidhur me gjendjen në Gjykatën e Kosovës në veri të Mitrovicës”.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri tha se në momentin që ka ndodh dorëheqja e kryetarëve kanë bërë vlerësim të gjendjes me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial.

Ai tha se nuk janë duke u ballafaquar me mos-punë me Gjykata.

“Protestat që po organizohen në veri po bëhen para objektit të Gjykatës Themelore. Kjo krijon vështirësi në funksionim të punës së gjykatës. Do t`ju ofrojmë mbështetje për krijimin e sigurisë dhe kushteve të punës”, tha Tahiri.

Tahiri tha se pas dorëheqjeve të kryetarëve si ministër është angazhuar t`ju qëndroj afër që mos të afektoj politika në punën e gjykatave.

“Nuk kam qenë në vizitë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Kemi marr shkresa nga kryetari i gjykatës që ka tregu që nuk ka pezullim të punës përpos kur janë mbajt protestat rreth dy orë që ka funksionu me vështirësi”, shtoi Tahiri.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nehat Idrizi tha se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin e gjykatës.

“Dje edhe me shkrim kam pranu një informacion se gjendja është stabile dhe nuk ka probleme. Gjyqtarët dhe stafi administrativ punojnë. Brenda orës 11:00 deri 13:00 gjatë kësaj periudhe palët nuk mund të hyjnë e të dalin shkaku i protestës. Përndryshe stafi brenda punon. Pas kësaj periudhe stafi punon pa ndërpre”, tha Idrizi.

Idrizi shtoi se si kryesues i KGjK i ka përcjell shkresë gjyqtarëve dhe e kanë mbajt një takim ku kanë diskutu për gjendjen në atë gjykatë.

“Këshilli ka kërku nga gjyqtarët të përmbahen nga deklarimet publike”, tha Idrizi.

Ndërsa Bahri Hyseni përfaqësues i Këshillit Prokurorial tha se gjithçka është në rregull ndërsa me shqetësim e kanë marr letrën e kryetarit të gjykatës në veri.

Frashër Krasniqi anëtar i komisionit nga PSD tha se pas këtij rasti të gjitha palët e subjektet duhet të ulën për të kërku strategji si duhet të veprohet ndaj Serbisë.

“Duhet një diskutim e konsensus me na bo bashkë në kontekst të dialogut. Taksa 100 për qind është veprim shumë i mirë i qeverisë dhe duhet të ndërmerren edhe hapa tjerë”, tha Krasniqi.

Korab Sejdiu tha se e kemi një agresion të hapur prej Serbisë dhe nëse edhe presidenti po kontribuon në atë drejtim.

“U fol më herët që kjo çështje është politike. Unë kisha pas dëshirë që institucionet tona politike të merren me politikë ndërsa institucionet e pavarura të merren me kompetenca ligjore siç është Këshilli Gjyqësor e Prokurorial. Barazinë para ligjit e kemi të garantuar me Kushtetutë”, tha Sejdiu.

Sejdiu tha se institucionet tona të pavarura duhet mi kryer punët e tyre sipas ligjeve.

“Nuk mundemi tjerëve nesër me ju than mos veproni kështu nëse nuk e kemi zbatu ligjin karshi disave. Ideja është të veprojmë si shtet dhe shtet”, shtoi Sejdiu.