Komisioni per Integrime Evropiane

Komisioni për Integrime Evropiane nuk e kaloi Projektligjin për konfiskim të pasurisë, e miratoi atë për Sinjalizuesit

Komisioni për Integrime Evropiane në mbledhjen e sotme nuk është pajtuar me ndryshimet e Projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë, por u tregua unanim për Projektligjin për Sinjalizuesit.

Me vetëm 3 vota për dhe dy abstenime nuk kaloi projektligji për konfiskim të pasurisë.

Anëtari i këtij komisioni, Armend Zemaj (LDK), tha se nuk do ta përkrah shqyrtimin në lexim të dyte të këtij projektligji.

“Personalisht po e ritheksoj se ky ligj nuk i ka plotësuar pritshmëritë tona, me këtë ligj tentojnë të avancohen disa procedura për konfiskim të pasurisë. Kjo po mbetet e zbrazët në këtë ligj. Për këtë arsye do të votoj kundër. Po neglizhohet konfiskimi i pasurisë në mënyrë të paligjshme. Nuk mund të jemi pjesë e ndryshimeve kozmetike”, tha Zemaj.

Projektligji në fjalë u kritikua edhe nga anëtari i Komisionit, Ismajl Kurteshi (LVV).

“Ky ligj ka ardh në kuvend si rezultat i presionit nga jashtë. Janë bërë ndryshime kozmetike. Këtu nuk ka zgjerim të kompetencave dhe nuk e bëjmë funksional, pra që të konfiskohet pasuria në mënyrë të padrejtë. Si të tillë nuk mund ta përkrah. T`i kthehet qeverisë dhe të hartohet mirëfilli”, tha ai.

Ndërkaq, anëtarja e komisionit, Donika Kadaj-Bujupi (AAK) kërkoi nga anëtarët që të përkrahet ky projektligj në këtë fazë për shkak të vonesës në afatet kohore të vëna nga BE-ja.

“Në fazën në të cilën jemi është kërkuar një pako e ligjeve me urgjencë, por është politizuar skajshëm çështja e vizave dhe po kërkojnë kushte shtesë. Vazhdimisht na është përmendur që edhe dy tri ligje kane mbetur peng dhe duhet të votohen. Të refuzohet në parim do të jetë argument shtesë për ato zëra”, theksoi ajo.

Projektligji për konfiskimin e pasurisë u kundërshtua edhe nga anëtari Visar Ymeri (PSD).

Ymeri tha se ligji nuk i plotëson nevojat që ka Kosova dhe abstenoi në votim.

Ndërkaq, përkrahje për të kaluar Projektligji kërkoi edhe kryetarja e Komisionit Blerta Deliu-Kodra (PDK)

Komisioni për Integrime Evropiane unanimisht e miratoi shqyrtimin e Projektligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve.

Anëtari i Komisionit Visar Ymeri e vlerësoi si të çuditshëm termin “sinjalizues”.

“Është emër i çuditshëm ky në gjuhën shqipe, por nuk kemi si t`i themi ndryshe. Kur po flasim për të po me duket sikur po i mbrojmë sinjalizuesit e komunikacionit rrugor”, tha Ymeri.