Komisioni për deportimin e 'gylenistëve' kërkon afat shtesë

Komisioni Hetimor Parlamentar, për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, ka kërkuar afat shtesë prej 1 muaji për të përfunduar dhe shqyrtuar raportin e të intervistuarve që kanë qenë të involvuar në rastin e 29 marsit të këtij viti.

Zëvendëskryetari i Komisionit Hetimor, Driton Selmanaj, tha për KALLXO.com se dorëzimi i raportit për në Kuvend është shtyrë, ndërsa në anën tjetër është dërguar edhe kërkesë për të vazhduar hetimin e depërtimit të ‘gylenistëve’.

“E kemi shtyrë, dorëzimin, kemi kërkuar një muaj shtesë, kemi dorëzu edhe kërkesën tash duhet të shohim se a do të votohet dhe a do të na jepet koha shtesë që kemi kërkuar”, tha Selmanaj për KALLXO.com.

Ai shtoi se nëse do të ketë nevojë për persona të tjerë që të intervistohen, ata do të ftohen.

Selmanaj nuk e përjashtoi mundësinë që presidenti Hashim Thaçi të ftohet prapë nga komisioni.

Ky i fundit është ftuar për tri herë radhazi, por nuk është përgjigjur para komisionit.

I njëjti komision, mospërgjigjen e Thaçit ndaj ftesës së komisionit e ka quajtur neglizhencë dhe papërgjegjësi.

“Presidenti Thaçi është ftuar tri herë dhe nuk i është përgjigjur ftesës. Nuk do të thotë që nëse marrim edhe kohën shtesë që kemi kërkuar nuk do të ftohet përsëri presidenti për të dëshmuar”, tha Selmanaj tutje për KALLXO.com.

Më 5 dhjetor, kur komisioni kishte të ftuar për të dëshmuar edhe personat e fundit sipas listës, ishte vetë zv. Kryetari  i komisionit, Driton Selmanaj i cili kishte përmendur se dyshohet se njëri nga të intervistuarit nuk kishte dhënë dëshmi të vërtetë.

E për KALLXO.com, Selmanaj tregoi se çfarë do të ndodh në këtë rast.

“Po mendojmë që komisioni do të bëj kallëzim penal për kallëzim të rremë”, tha Selmanaj, për KALLXO.com.

Ai shtoi se, në raportin të cilin e kanë përgatitur por për të cilin kanë kërkuar kohë shtesë, kanë përmendur edhe dyshimet e anëtarëve të komisionit për deklarimet e të intervistuarve.

Por për këto dyshime, Selmanaj thotë se kur të marrin aprovimin për kohën shtesë të kërkuar, do të mundohen t’i sqarojnë të gjitha dyshimet që kanë ngritur në raport.

“Do të mundohemi që t’i sqarojmë të gjitha dyshimet. Por duhet të theksoj se kemi pasur edhe presion të kohës, shumë nga zyrtarët që kemi ftuar për dëshmi kanë pasur agjenda të ngarkuara dhe për këtë arsye edhe jemi vonuar me raport, por do t’i sqarojmë të gjitha”, tha Selmanaj.

KALLXO.com ka përcjellë komisionin gjatë kohës së intervistimeve.

Deri më tani janë marrë në pyetje, Fazli Fazliu, shef i Departamentit për të Huaj në Aeroport, Ibrahim Mustafa nga Departamenti për Emigrim në Aeroport, Rrustem Haliti, zyrtar policor në Aeroport, Hamit Rukiqi, zyrtar policor, Xhemajl Krasniqi, Naile Cakolli, nënkoloneli Shaban Guda dhe drejtori i Departamentit të Kufirit, Rrahman Sylejmani, Ish- Drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, ish shefi i AKI-së, Driton Gashi, kryeministri, Ramush Haradinaj dhe sekretari e përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Lulzim Ejupin, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Shkelzen Sopjani, ish- ministri i MPB-së, Flamur Sefaj, familjarë të të depërtuarve.

https://kallxo.com/perfundon-intervistimi-i-maxhunit-ne-lidhje-me-gylenistet/

 

https://kallxo.com/driton-gashi-ish-shefi-i-aki-se-merret-ne-pyetje-6-ore-per-rastin-e-gylenisteve/

https://kallxo.com/keta-jane-zyrtaret-qe-u-intervistuan-per-deportimin-e-shtetasve-turq/

.