Komisioni për Arsim i Kënaqur me Punën në 2015

Komisioni parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji gjatë shqyrtimit të raportit vjetor vlerësoi pozitive punën që është bërë gjatë vitit 2015.

Kryetari i këtij komisioni, Nait Hasani tha se viti 2015 duhet të mbahet mend si një vit mjaft sfidues, duke theksuar se kanë pas vështërsi në punën e tyre gjatë viti 2015, sidomos nga gushti e këndej.

“Te ne kuorumi ka qenë, mundësitë për me punu i kemi pas, por zhvillimi politik në Kuvend ka ndikuar drejtpërdrejtë në punën tonë,” shtoi Hasani.

Ndërkaq, Serdjan Popović nga lista serbe përgëzoi komisionin për punën e bërë gjatë vitit 2015, duke shpresuar që edhe gjatë vitit 2016 do të arrijnë rezultate të kënaqshme.

“Mendoj që komisioni ka bërë punë të mira sidomos për serbët, për studentët e pjesës veriore,” deklaroi Popović.

Anëtari i komisionit, Salih Morina nga radhët e LDK-së tha se komisioni është angazhuar maksimalisht për hartimin e projektligjeve. Ndërsa, ai pati një kërkesë.

“Nga Ministria e Arsimit kishim kërku që të sjellë projektligjin për njohjen e stazhit të punës që ka qenë gjatë viteve 89-99’ do të ishte me prioritet ,” tha Morina.

Anëtarët e këtij komisioni apeluan tek opozita që t’i kthehen punës në kuvend dhe komision duke e cilësuar se ata e kanë obligim kushtetues dhe se duhet të kthehen që ta luajnë rolin e vet opozitar.

Kryetari Hasani si ndër të arriturat e mëdha gjatë viti 2015 theksoi aprovimin e Projektligjit për Maturën Shtetërore, Projektligjin për Akademinë e Shkencave dhe atë të Arsimit të Lartë në Kosovë.