Komisioni për Administratë Publike me ankesa për rend dite të ngarkuar

Anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, konsiderojnë se rendi i ditës në mbledhjen e sotme është i ngarkuar.

Nga nëntë pikat e parapara për këtë mbledhje, deputetët vendosën që të trajtojnë vetëm dy.

Shqipe Pantina nga PSD tha se sot rendi i ditës është shumë i ngarkuar.

“6 projektligje janë shumë sidomos kur janë të natyrave të ndryshme. Më shumë se 2 projektligje janë tepër veç sa me thanë që po i shqyrtojmë”, tha Pantina.

Edhe Imet Rrahmani, nga LDK propozoi që të merren vesh për mbledhjen e ardhshme cilat pika t’i shqyrtojnë.

“Propozoj që sot të merremi vesh cilat projektligje ti trajtojmë mbledhjen e ardhshme”, propozoi Rrahmani.

Adem Mikullovci, nga LVV tha se duhet të kujdesen që të mos i trajtojnë pikat sipërfaqësisht.

“Nuk guxojmë me shku shel e shko vetëm te Transmetuesi Publik i Kosovës a e din sa puna është në të. Unë pajtohem me Imetin që sot të merremi vesh per mbledhjen tjetër se me cilat pika të rendit të ditës do të punojmë”, tha Mikullovci.

Kurse Milaim Zeka nga Nisma Socialdemokrate tha se është mirë që të ulen e të punojnë.

“Nuk mundemi si deputetë me qitë kushte. Mendimi nuk është vendim. Jemi mbrapa me ligje mirë është mu ul me punu”, tha Zeka.

E Xhevahire Izmakui nga PDK ka ftuar deputetët të qëndrojnë në Komision dhe të punojnë me disa pika të rendit të ditës.

“I ftoj me qëndru sepse jemi të ngarkum me rendin e ditës. Sot mundemi me punu me 4 pikat e para e mbledhjen tjeter me pikat tjera. Nuk kemi arsyje ta lëjmë mbledhjen sot”, shtoi Izmaku.

Anëtarët e Komisionit u dakorduan që sot të merren vetëm me pikën 2 dhe pikën 8 të rendit të ditës.

Në pikën 2 të rendit të ditës është bërë shqyrtimi i raporteve të komisioneve të përhershme për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-036 për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës. Si dhe në pikën 8 të rendit të ditës është Shqyrtuar Projektligjit nr. 06/L-092, për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.

Rendi i ditës për të cilin ishin thirrur deputetët në këtë mbledhje ishte:

Miratimi i rendit të ditës;

Shqyrtimi i raporteve të komisioneve të përhershme për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-036 për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës;

Shqyrtimi në parim i Projektligjit nr.06/L-097, për Transmetuesin Publik të Kosovës;

Shqyrtimi në parim i Projektligjit nr. 06/L-111, për Pagat në Sektorin Publik;

Shqyrtimi në parim i Projektligjit nr. 06/L-113, për Organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura;

Shqyrtimi në parim i Projektligjit nr.06/L-114, për Zyrtarët Publik;

Shqyrtimi i Projektligjit nr.06/L-081, për Qasje në Dokumentet Publike; 8. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 06/L-092, për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës;

Të ndryshme.