Komisioni parlamentar për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim - Foto: KALLXO.com

Komisioni parlamentar miraton 3 ditë memoriale të komuniteteve të Kosovës

Komisioni parlamentar për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim ka miratuar 15 shkurtin dhe 28 qershorin si data memoriale për komunitetin serb ndërsa 24 qershorin si ditë memoriale e egjiptianëve.

Në ditët memoriale sipas Ligjit për Festat Zyrtare nuk pushohet përveç në rastin kur Qeveria merr vendim në konsultim me Presidentin e Kosovës.

Përderisa në këtë ligj kanë qenë të përfshira festat e komunitetit goran, ashkali, turk, rom, shqiptar, kanë munguar festat për komunitetin egjiptian dhe serb.

Deputeti nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ritheksoi se kjo ditë nuk pritet të jetë ditë pushimi.

“Ka ndodhur një keqkuptim në media. Është ditë e komuniteteve, ditë memoriale dhe nuk pushohet”, u shpreh ai.

Ndërsa, deputeti Danush Ademi nga Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës, tha se “punëtorët që punojnë atë ditë duhet ta festojnë”.

“Nuk po e them këtë për nxënësit”, shtoi ai.

Ndërkaq, deputeti nga Lista Serbe, Igor Simiq kujtoi se një festë fetare është e shkruar gabim në versionin e Ligjit në serbisht.

“Data e krishtlindjes (ortodokse) në shqip është e shkruar drejt e në serbisht është gabim… Është 6 janari (në serbisht)”, u shpreh ai duke treguar se data e krishtlindjes është më 7 janar.

Komisioni e votoi edhe ndryshimin e kësaj date në Projektligjin që do t’i shkojë Kuvendit.

Me propozimin e Simiq, Komisioni i miratoi edhe dy datat memoriale të komunitetit serb, 15 shkurtin (ditë e shtetësisë së Serbisë) dhe 28 qershorin (datën e fillimit të betejës së Kosovës në vitin 1389).