Komisioni Parlamentar kërkon buxhet shtesë për t`i kryer hetimet për krizën në Telekom

Komisioni  Parlamentar për hetimin e krizës  në Telekom dhe nw Postën e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot ka kërkuar që të ketë rritje të buxhetit, për t`i intervistuar dëshmitarët që jetojnë jashtë Kosovës.

Kjo kërkesë u shqyrtua pasi në mbledhjen e kaluar dështoi intervistimi i Shqyeri Haxhës, pasi ky i fundit jeton jashtë Kosovës dhe lidhja me Skype ishte e pamundur.

Deputeti Milaim Zeka në këtë mbledhje tha se ka informacion që është edhe një kontratë tjetër me një kompani maqedono-bullgare, që sipas tij është më e dëmshme se ajo me Z-mobile.

“Kam informacion se deri në 700 mijë euro në muaj janë paguar për këtë kompani maqedono-bullgare”, deklaroi Zeka.

Në këtë mbledhje gjithashtu u ndanë grupet hetuese në kuadër të komisionit, ku grupi i parë do të hetojë kontratat me palët e treta, grupi i dytë vendimet e qeverisë në lidhje me PTK-në dhe grupi i tretë kontratat e marketingut.

Gjithashtu u vendos që të kërkohet nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), të dhënat për licencimin e kompanisë “Dardaphone”, pasi dyshohet që kjo kompani ka punuar me dy emra por me licencë të njëjtë.

Ndërsa deputeti Bekim Haxhiu propozoi që t’i dërgohet një shkresë qeverisë nga ana e komisionit, që të ndalohet çdo proces i privatizimit të Telekomit deri në përfundimin e punëve të këtij komisioni.

Mbledhja e radhës e këtij komisioni u vendos për të mërkurën, ku do të vazhdohet intervistimi i dëshmitarëve.