Komisioni për Legjislacion, Mandate e Imunitete - Foto: KALLXO.com

Komisioni Miraton Projektligjet për EULEX-in

Komisioni për Legjislacion, Mandate e Imunitete ka miratuar Projektligjin që ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për EULEX-in dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it në Kosovë.

Projektligjet u miratuan nga të gjithë anëtarët e Komisionit me përjashtim të Albulena Haxhiut, e cila votoi kundër.

Haxhiu kritikoi procedurat se si janë proceduar këto projektligje dhe ngutinë në këtë drejtim. “Çka është kjo katrahurë?”, ka thënë ajo.

Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes tha se në vend që Kuvendi të bëjë një hetim institucional për skandalet, siç i quajti ajo, të EULEX-it, “neve na vjen kërkesa që t’i zgjasim mandatin këtij misioni”.

Dy projektligjet në fjalë shkojnë për votim në Kuvend dhe janë pika e fundit e rendit të ditës.