Komisioni i Presidentes, Shpresë për Banorët e Kufirit Kosovë- Mali i Zi

Banorët e fshatrave të vijës kufitare Kosovë- Mali i Zi që pretendojnë se janë dëmtuar nga marrëveshja për demarkacionin, e kanë pritur me shpresë themelimin e komisionit ndërkombëtar nga Presidentja Atifete Jahjaga.

Ata thonë se çdo rishqyrtim i çështjes së demarkacionit kufitar mes Kosovës dhe Malit të Zi është i mirëseardhur për komunitetin e Rugovës.

Tre ekspertë ndërkombëtarë janë caktuar për vlerësimin e marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar nga ish ministri i jashtëm Hashim Thaçi dhe ai i brendshëm Skënder Hyseni, me homologët e tyre malazezë, në gusht të vitit të kaluar.

Amerikani Fletcher Burton, gjermani Herbert Wilmes dhe britaniku Fred Newton janë ekspertët që do t’i shqyrtojnë hartat dhe do të bisedojnë me palët në proces për t’ia gjetur fijen lëmshit të krijuar që nga dita e nënshkrimit të marrëveshjes.

http://kallxo.com/presidentja-themeloi-komisionin-nderkombetar-per-demarkacionin/

Kryesuesi i Këshillit të komunitetit të bashkësisë së Rugovës, Rexhep Kurtbogaj, thotë për KALLXO.com se rishqyrtimi i procesit të demarkacionit është i mirëseardhur pasi që ai dyshon që Komisioni Shtetëror i Kosovës nuk ka vepruar profesionalisht dhe nuk ka marrë për bazë argumentet e ofruara nga banorët.

“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me këtë komision, kemi fakte të mjaftueshme të cilat dëshmojnë që vija kufitare që është përcaktuar nga komisionet ndërshtetërore është e padrejtë”, tha Kurtbogaj.

Ai bëri të ditur se muaj më parë është themeluar një komision për mbledhjen e të gjitha fakteve nga banorët e rajonit të Rugovës.

Kurse Rrustem Selimaj, banor fshati Haxhaj të Rugovës, tha për KALLXO.com se fshati i tij është ndër me të dëmtuarit me marrëveshjen mes shtetit të Kosovës dhe Malit të zi për demarkacionin e kufirit.

“Fshati Haxhaj oshtë një ndër të gjitha fshatrat që është prekur më së tepërmi. Këto shqetësime ne i kemi ngritur”, theksoi Selimaj.

Ai kërkon që banorët e dëmtuar nga marrëveshja të jenë prezentë ditën kur kur anëtarët e komisionit të dalin në teren.