Kombëtarja e nderoi Fadil Vokrrin në Sofje (FOTO)

Kombëtarja e Kosovës, e cila ndodhet në Sofje për ndeshjen kualifikuese kundër Bullgarisë, sot në njëvjetorin e vdekjes ka nderuar ish-presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, me një koreografi simbolike dhe me një minutë heshtje në ambientet e hotelit ku është akomoduar.

Para futbollistëve një fjalë rasti e ka mbajtur nënkryetari i FFK-së, Bakir Burri, i cili theksoi se periudha njëvjeçare pa Vokrrin ka qenë e vështirë.

“Jemi mbledhur këtu për të nderuar mikun dhe udhëheqësin tonë, Fadil Vokrri. Ky vit më ka shkuar më ngadalë se 40 vite që jam shoqëruar së bashku me të. Të gjithë kemi çfarë të kujtojmë e përmendim. Të gjithë që e kanë njohur e dinë sa i madh ka qenë dhe i madh ka mbetur. Do të kisha dëshiruar që rrugëtimi i tij të vazhdohet dhe fjalët e tij t’i nderojmë e respektojmë”, ka theksuar Burri.

Ndërkohë, ish-presidentin Vokrri e kujtuan edhe miku i tij, Muharrem Sahiti, përzgjedhësi Bernard Challandes dhe portieri Samir Ujkani, të cilët e vlerësuan lartë kontributin dhe veprën e tij, me shpresën se sukseset e kombëtares nuk do të mungojnë as në të ardhmen.

Foto: FFK