Arkiv - Remzi Shala para Gjykatës - 24.05.2019

Komandanti i kërkuar nga Gjykata Speciale ishte fshehur në Shqipëri

Komandanti i kërkuar nga Gjykata Speciale ishte fshehur në Shqipëri

Ish-ushtari i UÇK-së, komandant “Molla e Kuqe”, – Remzi Shala i cili është arrestuar mëngjesin e sotëm në shtëpinë e tij në Shirokë të Suharekës, ka deklaruar se ai do të paraqitet në seancat e radhës ku është i akuzuar për vrasjen e Haxhi Përteshit në vitin 1998.

Ai ka deklaruar se nuk është arratisur nga gjykimi për të cilin akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, por është arratisur për t`i ikur ftesës nga Gjykata Speciale për të cilën deklaroi sërish se nuk do t`i përgjigjet.

“Ju e dini që kurrë s`kam ik prej gjykatave tona. Unë e kam dit për seancën e datës 09 janar 2019. Po ndërkohë ka ndodh njëfarë rasti, ka ardh EULEX-i te unë para dyerve të shtëpisë, në mbrëmje, janë sjell keq, pa uniforma, janë kanë tre persona me një xhip të zi. Ata më kanë fut në kerr më kanë detyru me i marr letrat me zor për gjykatë speciale, për me nënshkru e me shku atje me 17 janar në ora 09:00”, tha i akuzuari Shala.

Ai tutje deklaroi se edhe më tutje e refuzon bashkëpunimin me Gjykatën Speciale.

“Unë kam refuzu, edhe sot refuzoj me më qu për gjykatë speciale, se nuk e njoh atë gjykatë, se ajo është vetëm për shqiptarë. Ky është qëllimi që jam ik, e s`jam ardh në këtë gjykim. S`kam dit kujna me i besu ma, për qata jam kanë i shqetësuar e kam ik. E refuzoi Gjykatën Speciale. Pardje jam ardh në shtëpi, se deri sot jam kanë në Shqipëri”, tha Shala para gjykatës.

Shala deklaroi se  ka qenë në dijeni për urdhër arrestin. “E kam pa në Facebook”, deklaroi ai.

Këto deklarata Shala i bëri pasi u njoftua nga gjykatësja Raima Elezi se është arrestuar për shkak se i njëjti nuk është paraqitur në Gjykatë për rastin ku akuzohet, për vrasjen e Haxhi Përteshit.

Prokurori Special Sylë Hoxha në fjalën e tij kërkoi që Remzi Shalës t`i caktohet masa e paraburgimit në mënyrë që të sigurohet prezenca e tij në seancat e radhës.

“Konsideroi se për të siguruar prezencën e të akuzuarit në gjykim për rastin ku akuzohet, konsideroi se gjykata ka marrë të gjitha veprimet e duhura. Propozoj që t`i caktohet paraburgimi, për zhvillim normal të gjykimit në rastin që po zhvillohet ndaj tij”, deklaroi prokurori special Sylë Hoxha.

Avokati i të akuzuarit Remzi Shala, Natal Bullakaj e kundërshtoi caktimin e paraburgimit.

“Ka qenë i shqetësuar me mënyrën e sjelljes se zyrtarëve tw Gjykatës Speciale, me formën se si e kanë ftuar, dhe i njëjti arratisjen nuk e ka bërë nga kjo Gjykatë, sepse i njëjti në rastin që zhvillohet ndaj tij, asnjëherë nuk i është shmangur gjykimit. E vetmja arsye e arratisjes ka qenë se nuk e njeh Gjykatën Speciale për Krime Lufte. Premton dhe garanton se do të paraqitet në gjykimin e radhës për rastin që zhvillohet ndaj tij”, deklaroi Bullakaj.

Remzi Shala – i njohur me nofkën “Molla e Kuqe” u arrestua sot në mëngjes nga Policia në shtëpinë e tij. Policia kanë qenë duke e zbatuar një urdhër arrest për djalin e Remzi Shalës, por gjatë zbatimit të urdhër arrestit kanë hasur edhe në Remzi Shalën i cili poashtu kërkohej më urdhër arrest nga e njëjta Gjykatë.

“Sot në ora 08:00 jam njoftuar nga Policia se është zbatuar urdhëresë ndaj djalit të akuzuarit për një vepër tjetër penale. Dhe gjatë zbatimit të urdhëresës Policia ka gjetur se edhe Remzi Shala gjendej në shtëpinë e tij”, ka deklaru gjykatësja Elezi.

 

https://kallxo.com/policia-shkoi-tia-arrestoj-djalin-e-arrestoi-edhe-remzi-shalen/

.