Pamje nga mbledhja e sotme e Komisionit për Siguri - Foto: KALLXO.com

Komandanti i FSK-së Raporton Para Komisionit për Siguri

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë njoftoi se në mbledhjen e ardhshme do të raportojë komandanti i FSK-së, Rrahman Rama.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e sotme të Komisionit, i cili ka aprovuar amendamentet e Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror.

Të gjithë anëtarët prezentë, 7, votuan në favor të aprovimit të këtij Projektligji në paketë.

Kryetari i këtij komisioni Haxhi Shala tha se paketa e këtij projektligji do të procedohet në komisionet e tjera parlamentare.

Ndërsa, gjatë mbledhjes pati mospajtim ndërmjet deputetit, Zoran Mojsilloviq, nga Lista Serbe, dhe kolegëve të tij – anëtarë të Komisionit.

Ai propozoi amendamente shtesë në emër të grupit të tij parlamentar, mirëpo, duke u votuar me 5 vota kundër dhe një për, këto propozime nuk morën përkrahjen e Komisionit.

Në fund të kësaj mbledhjeje u vendos që amendamentet do t’i paraqiten Kuvendit për votim pa përkrahjen e komisionit.