Komandantët e UÇK-së, sot para gjyqit

Gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore të Prishtinës pritet të mbahet seanca fillestare në lidhje me aktakuzën për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së.

Sot është e paraparë që të mbahet shqyrtimi fillestar si dhe të vendoset lidhur me masën e përkohshme për ndalimin e pensioneve për “veteranët e rrejshëm”.

Një gjë e tillë është kërkuar edhe në aktakuzë, me ç’rast Prokuroria ka propozuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Seanca e parë për aktakuzën për ‘veteranët e rrejshëm’ ka qenë e planifikuar që të mbahej edhe gjatë muajit janar, por një gjë e tillë nuk u bë e mundur për shkak të mungesës së dy të akuzuarve.

Në Gjykatë munguan dy të akuzuarit Rrustem Berisha dhe Faik Fazliu.

 

https://kallxo.com/shtyhet-seanca-per-veteranet-e-rrejshem-ende-pa-filluar/

Aktakuzën ndaj 12 të akuzuarve, anëtarë të Komisionit Qeveritar për përcaktimin e statusit të veteranit, do ta përfaqësojnë dy prokurorë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Valdet Gashi dhe Enver Krasniqi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në këtë rast janë të akuzuar Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Një muaj më pas, më saktësisht me 9 tetor, Gjykata e ka kthyer aktakuzën mbrapa duke kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e saj brenda 30 ditëve.

Prokuroria Speciale pasi nuk kishte arritur ta dorëzojë brenda afatit kohor të përcaktuar në aktvendim, kishte kërkuar nga gjykatësja Nushe Kukaj- Mekaj edhe 30 ditë kohë shtesë.

Aktakuza ishte kthyer me qëllim që të qartësohet se si e kanë kryer veprën penale të akuzuarit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjykata po ashtu ka kërkuar që të qartësohet edhe numri i  personave të cilët po pretendohet se po përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme, andaj është kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta sqarojë numrin e përfituesve se a janë 20.238 apo 15.115 persona që marrin pensione nga buxheti i Kosovës.

Ndryshim Gjykata ka kërkuar edhe në kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e pagesës së pensioneve për 20 mijë e 238 veteranë luftëtarë deri në përfundim të procedurës penale, gjykatësja e rastit Nushe Kukaj-Mekaj kishte thënë se do të ishte më mirë që çështja e tillë të trajtohet në ndonjë procedurë tjetër pasi që sipas saj ekziston rreziku i zvarritjes deri në pakufi të këtij procesi gjyqësor.

Arsyeja e një zvarritjeje të tillë sipas Gjykatës është se nëse lejohet masa e sigurisë vendimi duhet t’u dërgohet 20.238, veteranëve, që janë të prekur nga kjo masë e që kanë të drejtë ankese, për të cilat duhet të vendos kolegji prej tre gjyqtarëve, dhe duke e pasur parasysh numrin e madh të ankesave që do të paraqiteshin, procesi gjyqësor do të zvarritej deri në pakufi.

KALLXO.com raporton se nga momenti i ngritjes së aktakuzës e deri më tani kanë kaluar më tepër se 6 muaj dhe ende nuk është arritur të mbahet shqyrtimi fillestar.