Komandant Remi tregon në çfarë cilësie u intervistua në Hagë

Ish-komandanti i UÇK-së i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, është deklaruar pas përfundimit të intervistimit të ditës së dytë në Gjykatën Speciale.

Ai para mediave tha se ka përfunduar intervistimi i tij ndërsa shton se është ftuar nga po e njëjta Gjykatë në cilësinë e dëshmitarit të dyshuar.

“Unë kam një fjalë të shkurtër, e dini që kam pasur pyetje nga ju gazetarët por po them kështu se sot përfundoi intervista me mua pranë Dhomës së Specializuar. Isha i ftuar i dëshmitar i dyshuar. Ju e dini që ka qenë intervista e gjatë, sot përfundoi. Pyetjet kanë qenë shumë serioze, dhe ne kemi qenë edhe ne shumë serioz gjatë përgjigjeve dhe sapo kemi përfunduar. Ka pasur pyetje se a do ta mbrojë UÇK-në, po ju them edhe njëherë UÇK më ka mbrojtë mua, unë s’kam pasur nevojë ta mbrojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha Mustafa.

Rrustem Mustafa u intervistua dy ditë me radhë nga Prokuroria e Specializuar.

Mustafa hyri në selinë e kësaj prokurorie në Hagë i shoqëruar nga avokati i tij, Arianit Koci, pak para orës 10:00, por asnjëri prej tyre nuk folën për mediat.

Prokuroria Speciale nuk ka dalë ende me asnjë informacion për ish-pjesëtarët UÇK-së që janë ftuar për t’u marrë në pyetje.

Nesër, në Hagë pritet të intervistohet edhe Sami Lushtaku, një tjetër ish-komandant i UÇK-së, ndërsa të ftuar për intervistim janë edhe 9 luftëtarë të tjerë të UÇK-së.

Edhe Mustafa edhe Lushtaku kanë qenë komandantë të rëndësishëm të UÇK-së.

Pas luftës ata drejtuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, para se të futeshin në politikë.

Formimi i Gjykatës Speciale ka pasuar një raport të Këshillit të Europës në vitin 2011, i cili ka konstatuar se ka prova të mjaftueshme për të nisur hetime kundër disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, që dyshohet se kanë kryer krime kundër serbëve dhe disa shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjykata Speciale do t’i trajtojë krimet e supozuara që përfshijnë periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.