ARKIV - Mbledhja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Koliqi: Kërkesat e rektorëve janë jashtë kompetencës së tyre

Në konferencën e rektorëve të 6 universiteteve publike sot u mor vendim që nga dita e nesërme universitetet publike të hyjnë në grevë dhe të protestojnë deri në shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), shfuqizimin e vendimeve të tyre në procesin e akreditimit dhe shkarkimin e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Sa i përket dy kërkesave të para që kanë të bëjnë me Këshillin Shtetëror të Cilësisë, anëtarja e këtij Këshilli, Rozafa Koliqi ka thënë për KALLXO.com se ka qenë e pritshme që institucionet e arsimit të lartë të reagojnë ndaj vendimeve të tyre.

Mirëpo siç deklaron ajo, kërkesat që vijnë nga Konferenca e Rektorëve janë jashtë kompetencës së tyre.

“Baza ligjore e themelimit të Konferencës së Rektorëve është e qartë, përkatësisht neni 5 i UA 11/2016 për punën, detyrat dhe përgjegjësitë e Konferencës së Rektorëve,  parasheh qartë që KR duhet të bashkëpunojë me institucionet relevante në orientimin e politikave programore në universitet publike duke respektuar rolin dhe përgjegjësitë e AKA-së.”, ka thënë Koliqi.

Kjo anëtare e KShC-së theksoi se një reagim i tillë nga Konferenca e Rektorëve nuk është në përputhje me rolin dhe përgjegjësitë që Konferenca e Rektorëve duhet të ketë sepse sipas saj, të njëjtit duhet të bashkëpunojnë me AKA-në dhe jo të shkëpusin komunikimin që detyrimisht dëmton tutje procesin e akreditimit.

Koliqi tutje deklaroi për KALLXO.com se KShC mbetet e vendosur që vendimet e saj janë plotësisht legjitime, të drejta dhe kanë vlerësuar gjendjen faktike në mënyrë të përshtatshme.

https://kallxo.com/edhe-universitetet-nga-neser-ne-greve-rektoret-kerkojne-shkarkimin-e-ministrit-bytyqi/

“Universitetet publike ftohen që të dorëzojnë ankesat e tyre në Komisionin e Ankesave dhe në rast të konstatimit të gjendjes faktike ndryshe, KShC do të marrë vendimet në përputhje me rrethanat e reja”, ka thënë tutje ajo.

Rozafa Koliqi gjithashtu theksoi se Këshilli Shtetëror i Cilësisë është organ i pavarur i cili është votuar nga Parlamenti i Republikës së Kosovës dhe gëzon legjitimitet të plotë në punën e tij dhe se pavarësia në vendimmarrje buron nga Ligji për Arsimin e Lartë ndërsa mbështetet plotësisht në Standardet dhe Udhëzuesit Europian për Sigurim të Cilësisë.

“Është obligim i KShC-së që të respektojë bazën ligjore, të respektojë standardet e akreditimit që kërkojnë përmbushjen e vetëm kritereve minimale ndërsa në anën tjetër ftohen universitetet dhe gjithë akterët e tjerë relevantë që të angazhohen në përmirësimin dhe përmbushjen e kritereve për staf akademik në mënyrë që të shmangen situata të tilla në të ardhmen”, theksoi Rozafa Koliqi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi për të komentuar kërkesën e Konferencës së Rektorëve për shkarkimin e tij, por deri në publikimin e këtij  artikulli nuk kemi pranuar përgjigje.