Foto: Arbër Reçi/Facebook

Kolegji 'Iliria' sfidon mos-akreditimin me akuza ndaj ekspertes rumune

Në mesin e kolegjeve private të cilat humbën akreditimin për këtë vit, gjendet edhe Kolegji Iliria të cilët nga “hulumtimi në rrjete sociale”, konsiderojnë se ekspertja që i vlerësoi nuk është kompetente.

Meqenëse Agjencia e Kosovës për Akreditim nuk i ka dhënë qasje në CV-në e saj dhe nga “sjellja” gjatë vlerësimit në institucion, ky kolegj thotë se vlerësimi dhe vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë është i papërgjegjshëm dhe se “pa asnjë arsye kanë shqetësuar studentët, profesorët dhe opinionin publik”.

Sekretari i përgjithshëm i Kolegjit Iliria, Arbër Reci konsideron se ekspertja për akreditim institucional, Anca Prisacariu është e jashtëligjshme.

Në një përgjigje për KALLXO.com thuhet se Kolegji ILIRIA është i bindur se Këshilli Shtetëror i Cilësisë – KSHC ka marrë vendim të pamatur, për faktin se procesi i akreditimit ka pasur shkelje të shumta ligjore, për të cilat janë bërë ankesa të vazhdueshme në Agjencinë e Kosovës për Akreditim – AKA.

“Duke mos dashur të theksojmë të gjitha shkeljet (të cilat do të jenë pjesë e ankesës dhe padisë), dëshirojmë të theksojmë faktin se gjatë vizitës në Kolegjin ILIRIA, krahas ekspertëve për akreditim të programeve, ka qenë e angazhuar edhe Anca Prisacariu nga Rumania, e cila është angazhuar në cilësinë e ekspertes për akreditim institucional”, ka deklaruar ai.

Tutje në emër të Kolegjit ILIRIA, ai ka theksuar se gjatë procesit të akreditimit “kanë vërejtur qartë se Anca Prisacariu nuk ka kapacitetet e duhura dhe nuk plotëson kriteret për te qenë eksperte”.

Ai ka kritikuar sjelljen e ekspertes në fjalë duke e cilësuar si joprofesionale.

“Kolegji ILIRIA ka bërë ankesë në AKA dhe njëkohësisht ka kërkuar CV-në e saj me rastin e aplikimit për eksperte, sipas Ligjit për qasje në dokumente publike. AKA në asnjë rast nuk ka dorëzuar CV-në e saj, duke fshehur shkeljet që ka bërë, dhe duke angazhuar jashtëligjshëm një person që nuk plotëson kriteret ligjore për të qenë eksperte.”, është shkruar tutje.

Ndërkohë që thuhet se Kolegji ILIRIA ka hetuar këtë eksperte përmes rrjeteve sociale dhe burimeve tjera, ku edhe kanë vërejtur se e njëjta, nuk ka përvoje pune si mësimdhënëse në universitet.

Andaj edhe sipas tyre, është bërë shkelje e Udhëzimit Administrativ për Akreditim ku thuhet se ekspertët duhet të kenë përvojë pune si mësimdhënës në universitet, në menaxhim në institucion të arsimit të lartë, si dhe përvojë në hartimin e planprogrameve.

“Kolegji ILIRIA konsideron se qëllimi i angazhimin të saj është shumë i dyshimtë, poashtu për faktin se e njëjta nuk ka dhënë vlerësim pozitiv për asnjë institucion të cilin e ka vlerësuar. Nga një numër i madh i ekspertëve që AKA ka pasur në dispozicion, është përzgjedhur pikërisht Anca Prisacariu për të vlerësuar institucionin tonë, si dhe numrin më të madh të  universiteteve publike dhe kolegjeve tjera private, të cilave u është tërhequr akreditimi”, thuhet më tej.

Madje sipas tyre, vlerësimi dhe vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë është i papërgjegjshëm dhe se “pa asnjë arsye kanë shqetësuar studentët, profesorët dhe opinionin publik”.

KALLXO.com dje(15 korrik) ka monitoruar mbledhjen e 74-të të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të cilët votuan rekomandimet e raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë të ENQA-s, sipas të cilave Universiteti i Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit, si dhe Kolegji Fama, Kolegji Iliria, Kolegji Tempulli dhe Kosovo Art Academy, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të ri për këtë vit akademik.

https://kallxo.com/universitetet-e-pejes-prizrenit-dhe-mitrovices-nuk-mund-te-regjistrojne-studente-te-rinj/

https://kallxo.com/pervec-tri-universiteteve-publike-kshc-ua-terheq-akreditimet-edhe-4-kolegjeve-private/