Kolegët e gazetarit serb të vrarë përshëndesin vendimin për fajësi

Gazetarë serbë dhe ish-kolegë të redaktorit Slavko Curuvija përshëndetën vendimin për dënimin e ish-zyrtarëve të sigurimit të shtetit për vrasjen e tij, por paralajmëruan se gjykata nuk ka vendosur ende se kush e urdhëroi vrasjen.

 

Gazetarët serbë të premten përshëndetën vendimin e fajësisë të dhënë për ish-operativët e sigurisë shtetërore për vrasjen e gazetarit dhe redaktorit të opozitës, Slavko Curuvija, në vitin 1999, por kërkuan që të përcaktohet sfondi politik i vrasjes.

Një ish-koleg i Curuvijas, Branko Cecen, drejtori i Qendrës për Gazetari Investigative të Serbisë, tha se ai e konsideronte vendimin një sukses, sepse nuk mund të kishte ndodhur “20 vjet pasi provat ishin eliminuar dhe hetimet policore u penguan”.

“Ne mund të jemi të kënaqur me vendimin, por do të ishte gabim nëse nuk do të zbulohej kurrë kush i shkatërroi provat dhe kush urdhëroi vrasjen,” tha Cecen për BIRN.

Curuvija u qëllua jashtë banesës së tij në prill 1999. Familja e tij beson se ai u vra për shkak të kundërshtimit të tij të zëshëm ndaj regjimit të presidentit Sllobodan Millosheviq.

Gjykata e Lartë e Beogradit të premten dënoi katër ish-punonjës të sigurimit serb të shtetit me një total prej 100 vitesh burg për vrasjen.

Ish-kreu i Sigurimit Shtetëror të Serbisë Radomir Markoviq dhe oficeri i sigurimit të shtetit Milan Radonjiç u dënuan me nga 30 vjet burg, ndërsa agjentët e shërbimit sekret Ratko Romiq dhe Miroslav Kurak u dënuan secili me nga 20 vjet burg.

Milos Vasiq, një ish-gazetar i famshëm i cili ka shkruar gjerësisht për vrasjen e Curuvijës, tha se edhe figura më të larta duhet të kenë qenë të përfshirë në urdhërimin e vrasjes.

“Unë ndaj mendimin se Radomir Markoviq nuk mund të merrte i vetëm një vendim të tillë,” tha Vasiq për BIRN.

Një tjetër ish-koleg i Curuvijës, Perica Gunjiq, tha për BIRN se ai ndjeu “lehtësim” pas dënimit, por shpreson për dënime edhe më të larta pas procesit të apelit.

“Jam i lumtur që kemi një vendim të qartë që shpjegon se si shteti ka organizuar dhe ekzekutuar këtë vrasje,” tha Gunjiq, i cili tani është kryeredaktor i faqes së internetit Cenzolovka, një organizatë e drejtuar nga Fondacioni Slavko Curuvija.

Por ai tha gjithashtu se do të jetë e rëndësishme të përcaktohet se kush dha urdhër për të vrarë Curuvijën, pasi “ka shumë tregues të qartë dhe prova që tregojnë lidershipin më të lartë të shtetit”.

“Nga deklaratat e disa prej dëshmitarëve, ne mund të shohim se ku filloi gjithçka – Sllobodan Millosheviq dhe gruaja e tij Mira Markoviq,” tha Gunjiq.

Vajza e gazetarit të vrarë, Jelena Curuvija, tha se vendimi ishte “konfirmim i pamohueshëm që shteti vrau Slavko Curuvijën”.

“Gjykata sot i dërgoi një mesazh shtetit, se ai nuk mund të vrasë kundërshtarët politikë dhe të përdorë sigurinë e shtetit për ta bërë këtë dhe të mbetet pa u ndëshkuar,” tha Jelena Curuvija për Cenzolovka.

Vendimi u mirëprit gjithashtu nga Përfaqësuesi i Lirisë së Mediave të OSBE-së, shoqatat e gazetarëve serbë dhe kryetari i komisionit shtetëror për zgjidhjen e rasteve të gazetarëve të vrarë, Veran Matiç.

Mbrojtja ka njoftuar se do ta apelojë vendimin e shkallës së parë, ndërsa avokati i familjes së Curuvijës, Slobodan Ruziq, tha se të afërmit e gazetarit të vrarë shpresojnë të jepen dënime maksimale me nga 40 vjet burg.

Sipas aktakuzës, një ‘”person i panjohur” urdhëroi vrasjen dhe Radomir Markoviq, ish-kreu i sigurimit të shtetit në Serbi, urdhëroi vrasjen ndërsa tri ish-agjentë të tjerë sigurimi – Ratko Romiq, Milan Radonjiq dhe Miroslav Kurak – morën pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes.

Vendimi tha se Kurak dhe Romiq ishin bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë të krimit, ndërsa autori i drejtpërdrejtë mbetet i panjohur.

Të tre të dyshuarit e kanë deklaruar veten të pafajshëm, ndërsa Kurak është në arrati dhe po gjykohet në mungesë.

Markoviq aktualisht po kryen dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliq dhe krime të tjera, ndërsa Romiq dhe Radonjiq në shtator 2017 u liruan nga akuza për tentativë për vrasje të liderit të partisë opozitare Vuk Drashkoviq në vitin 2000.