Kolegët deputetë të Slobodan Petroviqit kërkojnë nga Policia ta konsiderojë mbrojtjen e afërt për të

Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka diskutuar për ndalimin e deputetit dhe anëtarit të Komisionit, Slobodan Petroviq, nga ana e policisë serbe në kufirin Kosovë-Serbi.

Xhelal Sveçla nënkryetar i Komisionit tha se kanë pranuar përgjigjen nga drejtori i Policisë se Kosovës lidhur me ndalimin e deputetit Petroviq.

“Është obligim njerëzor e kolegial i yni për secilin shtetas të Kosovës i cili kërcënohet ne duhet të reagojmë siç kemi reaguar si Komision. Përgjigja na ka ardhë edhe neve si komision nga Rashit Qalaj”, tha Sveçla.

Sveçla tha se do të dërgojnë edhe një kërkesë në polici që njësia për vlerësimin e rrezikshmërisë të vazhdoj të bëjë vlerësimin e rrezikshmërisë së deputetit Petroviq.

“Kolegu ynë na ka njoftuar për situatën dhe kërkojmë që vlerësimi të vazhdoj dhe të merren masat e nevojshme për vlerësim të rrezikshmërisë së kolegut tonë. Do t`i dërgojmë letër prapë policisë”, tha Sveçla.

Në mbledhjen e Komisionit është miratuar shqyrtimi i Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit me raport amendamente të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Shqyrtimi i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës me raport amendamente të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për rregullimin e shërbimeve të ujit me raport amendamente të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor.