Përformancë gjatë festivalit "Hapu" - Foto: Facebook

Kodi i Zhvozitjes Mbylli Festivalin ‘Hapu’

Ky leksion është përcjellë në sheshin “Nënë Tereza” nga Antonia Taddei dhe Ludovic Nobileau, të cilët në përformancën e tyre kanë ngërthyer ligjin dhe artin.

Antonia Taddei tha se e gjithë kjo bëhet që të mësojmë kulturën e njëri-tjetrit përmes artit dhe përfomancave të tilla argëtuese.

“Kodi i zhvozitjes është një lidhje në mes të artit dhe ligjit, sepse ne duam që arti të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo diçka që shërben si dekorim, si diçka e bukur që ne e shohim por si diçka që të ndihmon që të mendosh”, tha ajo.

Drejtori i festivalit Florent Mehmeti, tha se “Hapu” ka për qëllim që të sjellë artin në vëmendjen e qytetarëve.

“’Hapu’ është vetëm një pikë përmbledhëse e një pune shumë më të madhe e teatrit ‘Oda’ në hapësirën publike sidomos në nivelin evropian”, tha ai për KALLXO.com

Sipas tij sfiduese edhe për këtë vit ka qenë gjetja e hapësirave publike. “Çdo ditë e më shumë po ka më pak e më pak, e pothuajse aspak”, tha Mehmeti.

“Hapësira publike është një qasje interesante edhe e autoriteteve por edhe e qytetareve… Unë kam pasur sfidë të madhe me e rizbulu Prishtinën dhe me e kuptu se me të vërtetë nuk ka hapësira”, shtoi ai.

Sipas drejtorit të festivalit, hapësirat publike akoma konsiderohen si të huaja dhe kjo ndikon edhe në mungesë të përformancave artistike.

“Ka edhe një histori të hapësirës publike që njerëzit e Kosovës ndoshta e trajtojnë më ndryshe edhe për faktin se për një kohë të gjatë, gjatë okupimit, në hapësirë publike janë ndjerë sikur në shtëpi të huaj dhe edhe sonte ne nuk e përjetojmë si një hapësirë të përbashkët por si diçka që i takon dikujt”, tha ai për KALLXO.com.

festivali Hapu 1

Pjesë e Festivalit ka qenë edhe shfaqja “I dance you” e regjisorit Agnes Nokshiqi, ku qytetarët kanë qenë bashkëkoreografë me aktorët, si dhe shfaqja “Rruga e botës së lirë”.

Aktori Dukagjin Podrimaj, i cili është pjesë e shfaqjes “Rruga e botës së lirë”, tha se qytetarët në Kosovë akoma e  konsiderojnë artin në hapësira publike si të çuditshëm.

“Nuk besoj që hapësira publike është e cenuar tek ne, në kuptimin e ndaluar në mënyrë praktike apo fizike por më shumë është problem tek vetëdija dhe sa jemi gati ne për me e perceptu këtë formë të artit pasi që kjo është akoma e çuditshme për ne”, tha ai për KALLXO.com

Pjesë e festivalit ka qenë edhe “Misioni i Ruzveltit”, ku 20 qytetarë të ulur në karroca të invalidëve kanë kaluar nëpër qytete me qëllim që të përballen me vështirësitë që hasin invalidët e vërtetë.

Festivalit i artit në hapësira publike “Hapu” ka filluar më 20 korrik në kryeqytet me vendosjen e skulpturës “NE”, e krijuar së bashku me qytetarët e Keqekollës, Kodrës së Trimave dhe Kodrës së Diellit.