Ilustrim

Kodi i ri Penal kërcënon politikanët e korruptuar, zgjaten afatet e parashkrimit

Shumë të akuzuar të nivelit të lartë kanë përfituar nga një nen në Kodin Penal me të cilin veprat për korrupsion të cilat u viheshin barrë, vjetroheshin me kalimin e disa viteve.

Por kjo mund të mos jetë më e tëra ashtu.

Kodi i ri Penal, i cili është në procedurën e miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka sjellë risi sa i përket ndëshkimit të shoferëve, që ngasin automjete në gjendje të dehur, ashpërsimin e sanksioneve për veprat penale të korrupsionit, dhunës në familje, ngacmimeve seksuale dhe disa ndryshime të tjera.

Së fundmi ky Kod i cili po kalon procedurat parlamentare në Parlamentin e Republikës së Kosovës për miratim, ka paraparë edhe zgjatjen e afateve te të ndjekjes së veprave penale, respektivisht, zgjatjen e afateve të parashkrimit.

Në Kodin Penal të tanishëm i cili zbatohet në Republikën e Kosovës, për veprat penale për të cilat parashihet dënim me burgim të përjetshëm, afati i parashkrimit është 30 vjet, ndërsa për veprat penale për të cilat parashihet dënim më shumë se 10 vite heqje lirie, ky Kod parasheh që kryesi mund të ndiqet penalisht deri në afat prej 20 vite.

Për këto dy lloje të veprave ku sanksioni penal është i lartë, ligjvënësi nuk ka paraparë ndryshime në kohëzgjatje të parashkrimit, por kjo nuk ka ndodhur edhe me vepra të tjera penale ku sanksioni është më i butë.

Kodi Penal i cili është në fuqi aktualisht në Republikën e Kosovës parasheh që për veprat penale që parashihet dënim më shumë se 5 vjet, afatin e parashkrimit do të arrij pas 10 viteve.

“Neni 106 Parashkrimi i ndjekjes penale, dhjetë (10) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se pesë (5) vjet burgim.” Thuhet në Kodin Penal  NR. 04/L-082.

Ndërsa në Projekt kodin Penal për këto lloj vepra është paraparë që afati i parashkrimit do të arrij pas 15 viteve.

“Neni 99 Parashkrimi i ndjekjes penale, 1.3.pesëmbëdhjetë (15) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se pesë (5) vjet burgim”, thuhet në Projekt Kodin e Komisionit Parlamentar.

Për këto vepra do të zgjatet afati i parashkrimit të ndjekjes për 5 vjet nëse ky Projekt Kod do të marrë mbështetjen e 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Po në këtë nene të Kodit Penal në fuqi, për veprat penale që parashihet dënim më shumë se 3 vjet, afati i parashkrimit do të arrijë pas 5 viteve.

“Neni 106 Parashkrimi i ndjekjes penale,1.4. pesë (5) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se tre (3) vjet burgim”, thuhet në Kodin Penal  NR. 04/L-082.

Nga ana tjetër Propozim kodi parasheh zgjatje të afatit prej 5 viteve për këto vepra penale.

“Neni 99 Parashkrimi i ndjekjes penale 1.4. dhjetë (10) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se tre (3) vjet burgim”, thuhet në Projekt Kod.

Për të gjitha veprat penale që sanksioni penal është paraparë të jetë më shumë se 1 vit burgim, Kodi i tanishëm Penal ka paraparë që afati i parashkrimit do të arrijë pas 3 viteve.

“Neni 106 Parashkrimi i ndjekjes penale,  1.5. tre (3) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se një (1) vit burgim”, thuhet në Kodin Penal  NR. 04/L-082.

Ndërsa në Propozim kodin e komisionit, për këto vepra penale qe dënueshmëria parashihet me shumë se një vit, parashkrimi do të arrijë pas 6 viteve.

“Neni 99 Parashkrimi i ndjekjes penale 1.5. gjashtë (6) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se një (1) vit burgim”, thuhet në Projekt kodin e Komisionit Parlamentar.

Me këtë ndryshim në Projekt kodin e komisionit, për këto vepra që sanksioni parashihet të jetë më shume se 1 vit burgim, afati i parashkrimit është dyfishuar, nga 3 vite në 6 vite.

Sanksioni penal deri në 1 vit burgim me Kodin në fuqi parashkrimin e arrijnë për 2 vite.

“Neni 106 Parashkrimi i ndjekjes penale, 1.6. dy (2) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme deri në një (1) vit burgim ose me dënim me gjobë”, thuhet në Kodin Penal  NR. 04/L-082.

Për dallim nga ky Projekt Kod, Kodi penal në fuqi nuk e kishte paraparë që për veprat penale që parashihet sanksion penal deri në një (1) vit burgim ose me dënim me gjobë, parashkrimi do të arrijë për 4 vite.

“Neni 99 Parashkrimi i ndjekjes penale 1.6. katër (4) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme deri në një (1) vit burgim ose me dënim me gjobë”, thuhet në Projekt kodin e Komisionit Parlamentar.